Alonso ambicioz gjatë prezantimit: Dua që njerëzit të thonë, ky është ekipi që më pëlqen

26 maj 2025 | 13:42

Xabi Alonso nuk priti as dy minuta për t’iu premtuar spektakël tifozëve të Real Madridit. Pa asnjë fletë në dorë për ndihmë, trajneri i ri i “Los Blancos” mbajti një fjalim të pastër, të strukturuar në mënyrë perfekte dhe pa lënë asgjë jashtë. Ai falënderoi presidentin Florentino Perez për besimin dhe familjen për mbështetjen e vazhdueshme. Natyrisht, nuk harroi të përmendte Carlo Ancelottin, të cilin e cilësoi si një nga ‘përgjegjësit’ kryesorë që sot ndodhet në “Valdebebas”.

Xabi u tregua ambicioz kur foli për projektin e ri dhe theksoi se ka ide të qarta. “Kemi një skuadër të shkëlqyer, lojtarë fantastikë, një ekip me të tashme shumë të mirë. Kam plot arsye për të ardhur këtu me energji dhe entuziazëm. Duam të arrijmë gjëra të mëdha, e gjëra që i përkasin Real Madridit, si ato që tashmë janë këtu”, ka thënë Alonso, duke iu referuar qartë 15 titujve të Ligës së Kampionëve. Një detaj domethënës: ai shfaqi krenarisht stemën me 15 yje gjatë fotos zyrtare:

“Dua që njerëzit, të cilët na shikojnë të thonë: ky është ekipi që më pëlqen. Që njerëzit të vijnë në stadium për t’i shijuar ndeshjet. Nëse arrijmë ta ndezim këtë ndjesi, do të kemi forcë të pandalshme. Kam bindjen se mund të bëjmë gjëra të bukura”. “Pa dyshim që është një ditë shumë e veçantë. Një ditë që do ta shënoj në kalendar për gjithë jetën. Kjo është shtëpia ime, kam qenë disa vite larg, por lidhja me Real Madridin ka mbetur gjithmonë e paprekur. Që kur jam rikthyer në Valdebebas, kjo ndjenjë është ringjallur. Faleminderit për besimin, që menduat se jam personi ideal për ta udhëhequr këtë fazë të re, me energji dhe me entuziazëm. Ndihem që madridistët janë të ngazëllyer për këtë fillim të ri. Faleminderit Florentino Pérez për besimin”, ka deklaruar Alonso.

Trajneri i ri tregoi gjithashtu respekt për ish-trajnerin Carlo Ancelotti, duke thënë se është trajner që ka lënë gjurmë dhe një njeri i madh. “Dua të flas për fazën që u mbyll dhe për detyrën që po marr nga Carlo Ancelotti. Ai ishte një trajner që më la gjurmë, një njeri i madh. Pa mjeshtërinë e tij, ndoshta nuk do isha këtu sot. E marr këtë trashëgimi me shumë nder. Shpresoj t’i përmbush pritshmëritë dhe ta çoj klubin aty ku e meriton dhe ku dëshiron të jetë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duke u bazuar në Ligjin Nr. 08/L-181 për Vlerësimin e…