Alonso: Ta stërvitësh Realin ishte nder
Xabi Alonso ka shprehur zhgënjimin për dështimin e aventurës së tij shtatëmujore te Real Madridi, ku pësoi një sërë humbjesh poshtëruese ndaj rivalëve të mëdhenj evropianë dhe pati përplasje me lojtarë kyç të ekipit.
Spanjolli, i cili kishte shijuar sukses në Gjermani duke e udhëhequr Bayer Leverkusenin drejt titullit të parë në Bundesligë pa asnjë humbje, nuk arriti ta përsëriste këtë sukses me skuadrën ku dikur shkëlqeu si lojtar dhe u largua me marrëveshje të ndërsjellë të hënën.
“Kjo etapë e karrierës sime ka përfunduar dhe nuk ka shkuar ashtu siç do të kishim dëshiruar. Të stërvitësh Real Madridin ka qenë një nder dhe një përgjegjësi”, shkroi Alonso në “Instagram” të martën.
“Jam mirënjohës ndaj klubit, lojtarëve dhe, mbi të gjitha, tifozëve… Largohem me respekt, mirënjohje dhe krenari që kam dhënë maksimumin”, shkroi Alonso.
Mandati i Alonsos u shoqërua me mosmarrëveshje të brendshme, me raportime për përplasje me lojtarë me përvojë, përfshirë zëvendëskapitenin Federico Valverde dhe anësorin Vinicius Jr.
Paraqitjet e dobëta të Realit nën drejtimin e Alonsos përfshinë humbje të rënda ndaj Paris Saint-Germain në Botërorin e Klubeve, ndaj Atletico Madridit në LaLiga, si dhe ndaj Liverpoolit dhe Manchester Cityt në Ligën e Kampionëve.
44-vjeçari fillimisht krijoi një epërsi prej pesë pikësh në krye të tabelës së LaLigës, por një seri rezultatesh negative në nëntor dhe dhjetor, ku Real fitoi vetëm një nga pesë ndeshjet e kampionatit, bëri që kampionët e Barcelonës të shkëputeshin me katër pikë.
Reali do të udhëtojë drejt Albacetes për një përballje të Kupës së Mbretit të mërkurën.



