Ambasada amerikane: Krenarë që mbështetëm lansimin e ‘Apple Pay’ në Kosovë

31 korrik 2025 | 16:02

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Prishtinë ka përshëndetur zyrtarizimin e shërbimit “Apple Pay” në Kosovë, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt avancimit të ekonomisë digjitale dhe përfshirjes financiare.

Ambasada amerikane ka theksuar mbështetjen për këtë zhvillim dhe rolin që kanë luajtur në nxitjen e investimeve amerikane në vend.

“Lajm i madh për ekonominë digjitale të Kosovës: ‘Apple Pay’ tani është zyrtarisht i disponueshëm! Ambasada e ShBA-së është krenare që ka mbështetur këtë hap të rëndësishëm, i cili pasqyron rolin në rritje të kompanive amerikane që investojnë në të ardhmen e Kosovës”, është thënë në njoftimin e Ambasadës së ShBA-së.

Sipas ambasadës, ky moment historik kontribuon në rritjen ekonomike, përfshirjen financiare dhe modernizimin teknologjik, duke e bërë Kosovën më atraktive për investime dhe inovacion.

Ndërkohë, Banka Qendrore e Kosovës, ka njoftuar të martën se “Apple Pay” është bërë zyrtarisht funksional edhe në Kosovë. Sipas BQK-së, kjo risi u mundëson bankave dhe institucioneve financiare të lidhin kartelat me “Apple Pay”, për të ofruar pagesa të sigurta, të shpejta dhe pa kontakt përmes pajisjeve “Apple” si “iPhone” apo “Apple Watch”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) e mirëpret vendimin e Gjykatës…