
Ambasada amerikane shpërndan deklaratën e Trumpit ku përmendi sërish ndaljen e konfliktit Kosovë-Serbi
Presidenti amerikan, Donald Trump, në fjalimin e tij të djeshëm në OKB ka përmendur sërish shtatë konfliktet, përfshirë edhe konfliktin Kosovë-Serbi, të cilave ka thënë se u ka dhënë fund.
Trumpi ka thënë se asnjë president apo kryeministër më parë nuk ka “bërë kurrë diçka të tillë”.
Këtë deklaratë të tij e ka shpërndarë sot në mëngjes Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë.
Ambasada ka publikuar videon e fjalimit të Trumpit, si dhe një foto-grafikë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ku deklarata e tij është e ilustruar.
Trumpi u është drejtuar edhe ndaj Kombeve të Bashkuara, duke thënë se vetë organizata duhej të ndalonte këto luftëra.
“Unë i dhashë fund shtatë luftërave, dhe në të gjitha rastet ato po tërboheshin me mijëra njerëz të vrarë. Dhe e bëra vetëm në shtatë muaj. Nuk ka ndodhur kurrë më parë. Nuk ka ndodhur kurrë diçka e tillë. Jam shumë i nderuar që e kam bërë”.
“Dhe, për fat të keq, në të gjitha rastet, Kombet e Bashkuara as nuk u përpoqën të ndihmonin në asnjërën prej tyre”, ka thënë Trumpi.
Më poshtë lista e vendeve, ku Trumpi ka thënë se ka ndalur luftën:
Kamboxhia dhe Tajlanda;
Kosova dhe Serbia;
Kongo dhe Ruanda;
Pakistani dhe India;
Izraeli dhe Irani;
Egjipti dhe Etiopia;
Armenia dhe Azerbajxhani.