Ambasada e Kosovës në Arabi: 56 qytetarët që kthehen sot s’kanë koronavirus

21 maj 2020 | 10:01

Ambasada e Kosovës në Arabi ka njoftuar se 56 kosovarët që do të kthehen sot në Kosovë, pas testeve të bëra për virusin Korona, ai secilit prej tyre i ka dalë negativ.

Ambasada e Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe ka njoftuar se tashmë janë nisur 56 qytetarë të Kosovës të cilët kishin mbetur në Emirate pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në këtë vend shkaku i pandemisë COVID-19.

Në njoftimin e ambasadës thuhet se fluturimi me qytetarët nga Kosova është nisur sot në mëngjes në drejtim të Tiranës.

“Pas një periudhe të vështirë të pritjes dhe paqartësive të shumta, sot në mëngjes në drejtim të Tiranës kanë fluturuar 56 qytetarë të Kosovës të cilët kishin mbetur në Emirate pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në këtë vend. Mbi 30 nga këta qytetarë ishin studentë në Universitetin e Sharjias kurse të tjerët ishin familje dhe individë që humbën vendet e punës pas mbylljes totale të EBA apo mbetën aty kur u anuluan fluturimet”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Ambasada ka njoftuar se të gjithë pasagjerët janë testuar në aeroport për testin COVID-19 dhe të gjithëve testi u ka dalë negativ.

“Ambasada e Republikës së Kosovës falënderon Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në EBA për punën e madhe në këtë projekt të madh humanitar, Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Ministrinë e Punëve të Jashtme të EBA, FSK dhe të gjithë ata që ndihmuan që këta qytetarë të Kosovës të bashkohen me familjet e tyre”, thuhet në fund të njoftimit.

 

(B. D.: ‘Epoka e re’)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Luksemburgu nisi testimet në masë të popullatës për Covid-19 këtë…