
Ambasada e ShBA-së për takimet e Maqedoncit dhe Jasharit në Departamentin e Mbrojtjes: Partneriteti sjell përfitime për të dy vendet
Ambasada amerikane në Prishtinë, ka bërë një postim në rrjetet sociale pas takimeve që ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari kanë zhvilluar gjatë javë së kaluar në Departamentin e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në këtë postim është theksuar se këto takime janë bërë në kuadër të konsultimeve dypalëshe të mbrojtjes, të cilat theksohet se synojnë të forcojnë aftësinë e Kosovës për të garantuar sigurinë e saj dhe të rajonit.
“Departamenti i Mbrojtjes së ShBA-së mirëpriti javën e kaluar në Uashington ministrin në detyrë të Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe përfaqësues të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në kuadër të konsultimeve dypalëshe të mbrojtjes të cilat synojnë të forcojnë aftësinë e Kosovës për të garantuar sigurinë e saj dhe të rajonit. Zhvillimi i një partneri të fortë në fushën e sigurisë siguron stabilitetin e nevojshëm për rritje ekonomike dhe mirëqenie, që sjell përfitime për të dy vendet tona”, ka njoftuar Ambasada e ShBA-së në Kosovë.