
Ambasada e ShBA-së, thirrje liderëve të partive që të bëjnë marrëveshje: S’duhet të mbështeteni të gjykata për ta zgjidhur bllokadën
Bllokimi institucional, të cilin Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë e ka quajtur “të vazhdueshëm” është duke vonuar progresin dhe aspiratat e vendit dhe “po e rrezikon integritetin e institucioneve”.
Ambasada amerikane përmes një zëdhënësi u ka bërë thirrje udhëheqësve politikë që ta arrijnë një marrëveshje për konstituimin e Kuvendit dhe të mos mbështeten te Gjykata Kushtetuese për ta zgjidhur bllokadën.
“Ky bllokim i vazhdueshëm po vonon progresin në aspiratat e ardhshme të Kosovës dhe po rrezikon integritetin e institucioneve për të cilat populli i Kosovës luftoi aq fort për t’i krijuar. Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve politikë t’i marrin seriozisht përgjegjësitë e tyre dhe të punojnë së bashku për të arritur një marrëveshje për konstituim të Kuvendit, që nënkupton zgjedhjen e një kryetari dhe zëvendëskryetarëve. Ata duhet t’i përdorin javët e ardhshme për të gjetur një rrugë përpara që siguron një udhëheqje të qëndrueshme në përputhje me Kushtetutën. Udhëheqësit politikë nuk duhet të mbështeten te Gjykata Kushtetuese për ta rregulluar një bllokim politik që vetëm ata mund ta zgjidhin. Populli i Kosovës pret nga udhëheqësit e tyre ta përmbushin angazhimin e tyre për të punuar në interesin më të mirë të vendit”, është thënë në një përgjigje të ambasadës për “Klan Kosovën”.
Ambasada ka theksuar se ShBA-ja pret të punojë me qeverinë e ardhshme të Kosovës për ta çuar përpara stabilitetin rajonal.
Gjykata Kushtetuese u ka thënë deputetëve që të mos marrin asnjë veprim apo vendim drejt konstituimit të Kuvendit deri më 8 gusht, pasi u tejkalua afati 30-ditor i dhënë në një aktgjykim para një muaji.
Orvatjet e Albin Kurtit morën fund të dielën në mbrëmje, ndërsa u tha se po negocionte me Fatmir Limajn për një koalicion qeverisës.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate e deshi postin e kryeparlamentarit, të cilin kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje nuk e përfshiu në një ofertë të fundit drejtuar atij.
Lideri i partisë e cila doli e para në zgjedhje nuk pranoi as kërkesat e partive të tjera për ta ndërruar emrin e kandidates për kryetare të Kuvendit. Insistoi deri në fund dhe pa sukses ta bënte të fshehtë votimin për Albulena Haxhiu.