Ambasadorët Kosnett dhe O’Connell përkrahin vendimin e KShC-së

19 korrik 2019 | 16:03

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë (ShBA), Philipp Kosnett, dhe ai i Britanisë se Madhe, Ruairi O’Connell, kanë dalë në mbrojtje të vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) për mosakordimin e disa universiteteve publike dhe private.

Sipas ambasadorit amerikan, vendimi i KShC-së ka qenë i vështirë por korrekt.

“Është roli i saj që të marrë vendime objektive dhe të bazuara në standarde, për t’ju siguruar studentëve të Kosovës arsimin cilësor që e meritojnë”, ka shkruar Kosnett në një postim në llogarinë e vet “Twitter”, duke shtuar se Kosova ka nevojë për një sistem edukimi, të bazuar në merita  për të gjithë. “Universitetet ekzistojnë për t’i edukuar studentët për përfitimet e tyre dhe të shoqërisë dhe jo për t`iu siguruar punë individëve të pakualifikuar”, ka vlerësuar ai.

Ndërsa, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka deklaruar se të rinjtë e Kosovës meritojnë një edukim të mirë që njihet ndërkombëtarisht.

“Institucionet e pavarura duhet të lejohen të veprojnë në mënyrë të pavarur pa ndërhyrje politike. Vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për tërheqjen e akreditimit është një vendim i vështirë. Por universitetet duhet të plotësojnë disa kritere, veçanërisht nëse duan që vendet e tjera evropiane të njohin diplomat e tyre. Nëse universitetet kanë dështuar, pavarësisht paralajmërimeve, për të përmbushur kërkesat minimale të cilësisë, është faji i tyre, jo faji i Këshillit”, ka shkruar O’Connelli në profilin e vet në “Facebook”, duke shtuar se shteti i tij ka ndihmuar shumë Kosovën në këtë drejtim.

“Qeveria britanike dhe Këshilli Britanik i Akreditimit janë përpjekur të ndihmojnë universitetet publike dhe private për të përmbushur kërkesat e cilësisë. Tani kjo çështje është një provë e vërtetë për Kosovën. Rezultati do të tregojë nëse sistemi arsimor i Kosovës është ndërtuar për t’u shërbyer qytetarëve të saj dhe interesit kombëtar, ose për t’i shërbyer një grupi të ngushtë njerëzish dhe interesash private”, është shprehur O’Connell.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vendimi i parë i miratuar në mbledhjen e sotme të…