
Ambasadori amerikan i jep mbështetje ministrit Murati
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), Hekuran Murati, ka pritur sot në takim ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.
Murati ka uruar ambasadorin Hovenier për fillimin e punës së tij në Kosovë dhe e ka njoftuar për prioritetet e ministrisë së Financave për vitin 2022.
Ministri Murati e ka uruar Hovenierin për fillimin e misionit diplomatik në Kosovë dhe e ka falënderuar për mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm që ShBA-ja ka dhënë në zhvillimin ekonomik të vendit tonë.
Më tutje, ai ka njoftuar ambasadorin Hovenier lidhur me punën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, si dhe prioritet kryesore të kësaj ministrie për vitin 2022, të cilat përfshijnë reformën në skemat sociale e pensionale, si dhe formalizimin e ekonomisë, duke shprehur vullnetin e plotë në realizimin e këtyre objektivave në bashkëpunim e koordinim me ShBA.
Ndërsa ambasadori Hovenier ka premtuar mbështetjen për thellim të partneritetit mes ShBA-së dhe Ministrisë së Financave.
Ambasadori Hovenier e ka përgëzuar ministrin Murati për masat e ndërmarra nga MFPT-ja dhe ka nënvizuar mbështetjen në thellimin e partneritetit në mes të ShBA-së dhe Mkësaj ministrie.
Ministri Murati dhe ambasadori Hovenier ishin të një qëndrimi që të intensifikohet edhe më tej bashkëpunimi në mes dy vendeve partnere në fushën e investimeve direkte dhe stabilitetit ekonomik.