Ambasadori amerikan në Beograd: ShBA-ja po ua ofron Kosovës dhe Serbisë një shans

24 qershor 2020 | 12:25

Ambasadori amerikan në Serbi, Anthony Godfrey, ka thënë se ShBA-ja po ua ofron një shans Kosovës dhe Serbisë për të hapur dyert për investime dhe zhvillim ekonomik.

“Takimi i përfaqësuesve të Beogradit dhe Prishtinës më 27 qershor në Uashington shpërfaq një shans për të dy palët për të hapur derën për zhvillim ekonomik dhe investime”, ka thënë ambasadori i ShBA-së në Serbi, duke theksuar se është “qartazi optimist” lidhur me takimin e Uashingtonit, shkruan “Danas”.

Ambasadori Godfrey ka thënë se shpreson që Kosova dhe Serbia do ta shfrytëzojnë takimin në Uashington për t’iu rikthyer dialogut.

“ShBA-ja shpreson që liderët e Kosovës dhe Serbisë do ta shfrytëzojnë këtë shans (takimin në Uashington) për t’u rikthyer në dialog dhe për të filluar një epokë të re të qëndrueshmërisë dhe prosperitetit. Njerëzit në këtë rajon nuk meritojnë asgjë më pak se kjo”, ka thënë ai.

Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti do të marrin pjesë në takimin e 27 qershorit që do të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prof. Dr. Murat Meha Për të analizuar proceset e zhvillimeve…