Ambasadori britanik: Bllokada politike po dëmton Kosovën

05 gusht 2025 | 16:17

Situata politike në vend, me bllokadën që po ndodh me formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të shkurtit, po kritikohet nga ambasadorët e vendeve të huaja të akredituar në Kosovë.

Është Jonathan Hargreaves, ambasadori Britanik në Kosovë, ai që gjatë një takimi që ka zhvilluar të martën me liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se kjo bllokadë po e dëmton vendin.

“Bllokada politike e Kosovës po dëmton vendin. Sot u takova me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, për të shkëmbyer pikëpamje mbi sigurimin e veprimeve vendimtare kur të merret vendimi i Gjykatës Kushtetuese, si dhe rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve gjithëpërfshirëse komunale në tetor”, ka shkruar  Hargreaves në “Facebook”.

Për takimin është deklaruar edhe vetë Haradinaj, i cili ka theksuar nevojën urgjente për tejkalimin e bllokadës institucionale.

“Haradinaj ritheksoi se kjo bllokadë duhet të zhbllokohet pas datës 8 gusht, kur pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ai nënvizoi se funksionimi i plotë i institucioneve është thelbësor për stabilitetin demokratik dhe orientimin euroatlantik të Republikës së Kosovës”, ka njoftuar AAK-ja.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme për mbajtjen e seancës konstituive, duke ua ndaluar deputetëve të marrin vendime apo të ndërmarrin veprime nga data 27 korrik deri më 8 gusht, kur do të shpallet aktgjykimi i plotë mbi ngërçin në Kuvend.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së janë…