Ambasadori britanik takohet me Hamzën, diskutojnë për zgjedhjet e 28 dhjetorit
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves është takuar të enjten me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.
Lajmin e ka bërë me dije ambasadori britanik përmes një postimi në “Facebook”, ku ka thënë se e ka uruar Hamzën për detyrën e re dhe i ka dëshiruar sukses në drejtimin e partisë.
Ai ka njoftuar se gjatë takimit është diskutuar për rëndësinë e funksionimit efektiv të institucioneve të vendit dhe për nevojën që spektri politik të angazhohet në mënyrë konstruktive, në frymën e Kushtetutës, sidomos në kontekstin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Sot u takova me kryetarin e sapozgjedhur të PDK-së, Bedri Hamza. E përgëzova për rolin e ri dhe i urova sukses ndërsa merr përsipër këtë përgjegjësi të rëndësishme për avancimin e zhvillimit demokratik të Kosovës. Diskutuam gjithashtu për rëndësinë e funksionimit efektiv të institucioneve të Kosovës, si dhe nevojën që aktorët politikë të angazhohen në mënyrë konstruktive me njëri-tjetrin në frymën e Kushtetutës, veçanërisht në kontekstin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, ka shkruar Hargreaves.



