
Ambasadori gjerman në Prishtinë optimist për formimin e qeverisë së re të Kosovës
Ambasadori i ri i Gjermanisë në Prishtinë, Ranier Rudolph, shprehu optimizëm se Kosova shumë shpejt do të formojë qeverinë e re, me të cilën Berlini mund të bashkëpunojë ngushtë.
Gjatë një pritjeje për shënimin e “Ditës së Bashkimit Gjerman”, diplomati theksoi se Gjermania mbetet mik dhe partner i fortë i Kosovës dhe se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë integrimin ndërkombëtar dhe ambiciet evropiane të Kosovës.
“Këtu në Kosovë jam optimist që shumë shpejt do të ketë një qeveri, e cila do të jetë plotësisht e mandatuar si partner me të cilin mund të bashkëpunojmë,” tha ai.
Ambasadori ritheksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe forcimin e marrëdhënieve me fqinjët si hapin e parë drejt integrimit evropian të Kosovës.
Ai gjithashtu nënvizoi se mbështetja e Gjermanisë për Kosovën është e qëndrueshme dhe përfaqëson një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme të vendit të tij.
“Edhe në parlamentin tonë, Bundestagun, mbështetja dhe miqësia me Kosovën janë të thella dhe të në të gjitha partitë demokratike, siç e përjetova në shumë biseda javët e fundit në Berlin….Kosova është pjesë e Evropës. Unë dua të mbështes ambiciet evropiane të Kosovës dhe integrimin e saj ndërkombëtar. Procesi i zgjerimit të BE-së është një prioritet personal për ministrin e Jashtëm Johann Wadephul. Për secilin prej nesh në Evropë, hapi i parë drejt integrimit evropian është forcimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit rajonal me fqinjët tanë përkatës”, u shpreh ai.