Ambasadori Hargreaves vlerëson angazhimin e KQZ-së në përgatitjen e zgjedhjeve të 28 dhjetorit
Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka zhvilluar të martën një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Gjatë takimit, kryesuesi Radoniqi e informoi ambasadorin Hargreaves për ecurinë e aktiviteteve përgatitore që KQZ-ja po ndërmerr në funksion të organizimit të procesit zgjedhor, përfshirë angazhimet operative dhe trajnimin e trupave zgjedhore.
Radoniqi theksoi përkushtimin e KQZ-së për organizimin e një procesi zgjedhor gjithëpërfshirës, të rregullt dhe transparent, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në ruajtjen e standardeve demokratike dhe besimit të qytetarëve në procesin zgjedhor.
Ai po ashtu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë KQZ-së ndër vite, përfshirë zhvillimin e softuerit, i cili do të shërbejë edhe në procesin zgjedhor të 28 dhjetorit, për transmetimin e rezultateve preliminare nga vendvotimet, por edhe në procesin që do të zhvillohet në Qendrat Komunale të Numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Nga ana e tij, ambasadori Hargreaves vlerësoi angazhimin institucional të KQZ-së në përgatitjen e zgjedhjeve dhe rikonfirmoi mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për proceset demokratike në Kosovë, duke i uruar sukses KQZ-së në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme dhe fazat pasuese të procesit.



