
Ambasadori i Francës kërkon të respektohet Gjykata Kushtetuese
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka theksuar se Gjykata Kushtetuese e Kosovës gëzon respekt ndërkombëtar dhe si e tillë duhet të respektohen vendimet e saj edhe brenda shtetit.
Deklaratat e ambasadorit francez vijnë në kohën kur Gjykata Kushtetuese ka pezulluar punën e Kuvendit të Kosovës deri në vendimin për kërkesën e Listës Serbe lidhur me çështjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.
Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të zgjedhë nënkryetarin serb, megjithatë kryeparlamentari Dimal Basha e ka shpallur të konstituuar Kuvendin.
I pyetur për qëndrimet e pushtetit aktual ndaj kësaj çështjeje, Guerot ka thënë se nuk dëshiron të komentojë për shkak se çështja është në shqyrtim të Gjykatës Kushtetuese.
“Dua të them se Kushtetuesja është institucion shumë i respektueshëm jashtë Kosovës. Ajo është pranuar si anëtare e plotë e Asociacionit Evropian të Gjykatave Kushtetueses, si dhe asaj frankofone. Për shkak se respektohet jashtë shtetit, mendoj se duhet të respektohet edhe në Kosovë. Prandaj do të përmbahem nga komentet se çka mund të thonë të tjerët, por do të këshilloja institucionet që të vazhdojnë të respektojnë pavarësinë e gjykatës. Është ndër shtyllat e Republikës së Kosovës dhe e ka përkrahjen tonë të plotë”, ka thënë Guerot pas debatit për dezinformimin në fushatat zgjedhore të organizuar nga Qendra Mediale në Çagllavicë.