
Ambasadori i ri gjerman: Kosova partnere e rëndësishme e Gjermanisë (video)
Ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, përmes një videoje është prezantuar shkurt për kosovarët dhe për mbështetjen e vendit të tij ndaj Kosovës.
Ai ka thënë se Gjermania është krenare që ka mbështetur Kosovën e pavarur dhe sovrane dhe se ai do të vazhdojë të mbështesë integrimin ndërkombëtar të Kosovës dhe atë në Bashkimin Evropian (BE).
“Për ne gjermanët, Kosova është një mike e mirë dhe një partnere e rëndësishme. Dhe ne kemi qenë krenarë që e kemi mbështetur Kosovën si një komb të pavarur dhe sovran për një kohë të gjatë. Dhe unë dua të mbështes integrimin ndërkombëtar të Kosovës, veçanërisht rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.
Ambasadori i ri gjerman, ka thënë se pret “me padurim” t’i njohë njerëzit e Kosovës dhe të provojë ushqimin e vendit tonë. “Dhe mbi të gjitha, pres me padurim t’ju njoh të gjithëve juve e këtë vend të bukur dhe ushqimin e tij të mrekullueshëm”, ka thënë Rudolph.