Ambasadori i Shqipërisë viziton ASK-në, temë diskutimi statistikat e turizmit

21 maj 2025 | 13:00

Drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, ka pritur në takim ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Petrit Malaj, i cili shoqërohej edhe nga Këshilltari për bashkëpunimin ekonomik, Kastriot Noli.

Qëllimi i këtij takimi ishte bashkëpunimi i ndërsjellë ndërmjet ASK-së dhe Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, kryesisht në fushën e statistikave të turizmit.

Drejtori ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati, duke falënderuar ambasadorin për vizitën, potencoi bashkëpunimin shumë të mirë me INSTAT-in e Shqipërisë përfshirë Marrëveshjen Mirëkuptimi (MeM) që është bërë disa vite më herët.

“Duke vlerësuar që INSTAT ka disa fusha më të zhvilluara, përfshirë zhvillimet e fundit rreth integrimeve të Shqipërisë në BE, ku statistika ka një rol të rëndësishëm, ne si ASK po marrim përvojën nga INSTAT-i, kryesisht në metodologji dhe disa analiza në fusha të caktuara. Po ashtu, përvoja e ASK-së në fushën e TI dhe GIS është çmuar nga INSTAT-i. Përvoja e Shqipërisë në Regjistrimin e Popullsisë që ishte realizuar me herët Regjistrimin, ka ndihmuar që Kosova të mësojë shumë nga ajo përvojë, duke realizuar ne Regjistrim të suksesshëm në Kosovë”, ka thënë ai.

Në të ardhmen, pritjet janë që të ketë një harmonizim të dokumentimit dhe nomenklaturës, duke harmonizuar edhe fushat e ndryshme si këmbimi i përvojës me qëllim që të mbulohen zbrazëtirat e njëri – tjetrit.

Në anën tjetër, ambasadori Malaj ka thënë se ndjehet shumë mirë kur diskutohet për bashkëpunimin e ASK-së me INSTAT-in. “Kur Kosova është mirë në një drejtim dhe ne në një drejtim tjetër, duke dhënë dhe duke marrë nga njëri – tjetri është mirë për të dyja vendet, sepse një Shqipëri e fortë, është mirë edhe për Kosovën. Dhe një Kosovë që ecën në hapin e duhur drejt gjithë nismave, është një dobi e madhe për Shqipërinë”, ka thënë Malaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbërritur në Zvicër ku…