Ambasadori turk pas ngjarjeve në veri: Dialogu, e vetmja rrugë për stabilitet

28 maj 2023 | 09:12

Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, dje ka thënë se dialogu është e vetmja rrugë për të pasur stabilitet të qëndrueshëm në Kosovë.

Ai tha se e mbështesin procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne besojmë se stabiliteti është shumë shumë i rëndësishëm jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë Ballkanin. Dhe për të arritur një stabilitet të qëndrueshëm, ne besojmë se e vetmja rrugë është dialogu. Kështu që ne mbështesim procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ne gjithashtu mbështesim të gjitha çështjet dhe problemet që duhet të zgjidhen me mjete paqësore”, tha ai për Kosova Press.

Pesë policë janë lënduar dhe katër automjete janë dëmtuar dje nga incidentet në veri të Kosovës. Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës, duke theksuar se një prej veturave është djegur.

Me qëllim të pengimit të hyrjes së kryetarëve në objektet komunale, disa qytetarë janë mbledhur para ndërtesave komunale në veri të vendit. Përveç personave të angazhuar dhe automjeteve të tyre të vendosura në afërsi dhe pranë objekteve komunale, në komunat veriore janë lëshuar edhe alarmet, të cilat përdoren nga strukturat kriminale për mobilizim dhe tubime.

Ndërkohë, ndërkombëtarët kanë dënuar veprimet e Qeverisë Kosovës, duke kërkuar që të ulen tensionet.

Kryetari i Zveçanit, ai i Leposaviqit dhe kryetari i Zubin Potokut, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kanë kryer betimin të enjten (25 maj). Asnjëri prej tyre nuk është betuar në objektin e komunës përkatëse, përveç kryetarit të veriut të Mitrovicës.

Zgjedhjet në veri janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar. Kryetarët paraprakë nga kjo parti, kanë dhënë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar. Ata janë larguar nga institucionet në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës që ka obliguar qytetarët t’i kthejnë targat e veturave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndryshe nga shumë vende të tjera, Zvicra nuk e ndalon…