
Ambasadorja suedeze në Beograd hedh poshtë ‘paralelen’ në mes të Kosovës dhe Ukrainës: Më 1999 ndaluam spastrimin etnik
Nuk ka “asnjë paralele” në mes të asaj se çfarë po ndodh në Ukrainë dhe intervenimit të NATO-s në Kosovë në vitin 1999.
Kështu ka thënë ambasadorja suedeze në Beogradi, Anika Ben David, duke folur për të përditshmen serbe “Politika” kur intervistuesi provon të nxjerrë analogji me invazionin brutal e të paligjshëm rus në Ukrainë që nga shkurti i vitit të kaluar me bombardimet e Aleancës së Atlantikut të Veriut.
“Nuk shohim paralele mes kësaj çfarë po ndodh tash në Ukrainë dhe asaj çfarë ndodhi në Serbi më 1999”, ka thënë prerazi ambasadorja.
E pyetur se “ku qëndron dallimi”, ambasadorja ia kthen edhe më prerazi. “Bombardimet e NATO-s ishin përpjekja e fundit për të ndaluar spastrimin etnik në Kosovë”.
“Nuk ka pasur konflikt mes dy vendeve, por Rusia e pushtoi Ukrainën më 2014. Ka pasur shumë konflikte në Jugosllavi dhe intervenimi i NATO-s ishte përpjekja, si gjëja e fundit, për të parandaluar spastrimin etnik në Kosofvë. Bombarimet e 1999’ës duhet të shihen në atë kontekst. Shpresojë që përvojat tramautike të nga fushata e NATO-s nuk do të mjegullojnë pikëpamjen e popullit serb për të ardhmen dhe mundësitë që kanë tash”, ka thënë diplomatja suedeze.
Më tutje, ajo ka shprehur pritshmëritë e saj që marrëveshja e Ohrit për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të jetësohet.
“Fatkeqësisht, tashmë po kthehemi në menaxhim të krizave. Ne, BE-ja, bashkë me ShBA-në, kemi punuar pa u ndalur për të shtyrë para normalizimin. Shpresuam që pas Ohrit ishim në shtegun e duhur, por kjo nuk ndodhi. Tash është e rëndësishme që situata të depërshkallëzohet, që të gjithë të kthehen në tryezën e bisedimeve, dhe që të ketë zgjedhje të reja në veri të Kosovës; por edhe që marrëveshjet e kaluara të zbatohen. Çfarëdo progresi për të ardhmen duhet të fillojë me zbatimin e marrëveshjeve paraprake”, ka thënë ambasadorja Anika Ben David.