Amerika paralajmëron sanksione ndaj Turqisë dhe Egjiptit

22 nëntor 2019 | 11:19

Një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit ka paralajmëruar sanksione kundër aleatëve amerikanë, Turqisë dhe Egjiptit, për marrëveshjet ushtarake që këto vende kanë lidhur me Rusinë.

Zyrtari, i cili ka njoftuar gazetarët në kushte anonimiteti, ka thënë se Ankaraja duhet të shmanget nga sistemi rus i mbrojtjes raketore “S-400”, nëse dëshiron të përmirësojë lidhjet me Uashingtonin.

Turqia, një anëtare e NATO-s, pranoi pjesën e parë të sistemeve të mbrojtjes raketore në korrik, duke bërë që Shtetet e Bashkuara të pezullonin pjesëmarrjen e Turqisë në programin e avionëve luftarakë F-35.

Zyrtarët ushtarakë të ShBA-së dhe NATO-s kanë kundërshtuar prej kohësh blerjen e sistemit të Rusisë nga Turqia, duke thënë se nuk ishte në përputhje me sistemet ushtarake të aleancës dhe do të rrezikonte avionët e rinj “F-35” të përdorura nga Perëndimi.

Shtetet e Bashkuara kanë theksuar se Rusia do të jetë në gjendje të marrë detaje teknike të ndjeshme në lidhje me aeroplanin e ri luftarak amerikan, përmes sistemit “S-400”.

Uashingtoni ka bërë presion që Turqia të heqë dorë nga blerja e sistemit rus dhe në vend të kësaj të blejë sistemin Patriot të bërë nga ShBA-ja, por presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan ka refuzuar të tërhiqet, madje edhe në rrezik të sanksioneve.

Zyrtari amerikan gjithashtu ka thënë që Shtetet e Bashkuara po punojnë me Egjiptin, për të penguar atë të procedojë me një marrëveshje prej 2 miliardë dollarësh për të blerë më shumë se 20 avionë luftarakë rusë “Su-35”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dhjetëra raste të sulmeve fizike ndaj mjekëve në vendin e…