Amorim pas eliminimit turpërues: Më falni, por nuk mund të ndryshoj 22 lojtarë

28 gusht 2025 | 12:12

Manchester United përjetoi një tjetër humbje zhgënjyese, duke u eliminuar në raundin e dytë të Carabao Cup nga skuadra modeste e Grimsby Town, që luan në kategorinë e katërt të futbollit anglez. “Djajtë e Kuq” barazuan 2-2 në minutat e fundit, por u dorëzuan pas një maratone penalltish, duke humbur 12-11.

Pas ndeshjes, trajneri Ruben Amorim foli me tone të ashpra, duke pranuar se ekipi po kalon një moment shumë të vështirë. “Jam i shokuar, sepse jemi në një moment ku po bëjmë shumë ndryshime dhe po përpiqemi të luftojmë në disa drejtime. Por kur përballesh me situata të tilla, duhet të tregosh karakter. Nëse nuk e bëjmë, diçka duhet të ndryshojë. Por nuk mund të ndryshojmë sërish 22 lojtarë”, ka thënë Amorim për ITV.

Unitedi nuk ka fituar asnjë nga tre ndeshjet e para të sezonit, pavarësisht afrimeve të bujshme në merkato si Benjamin Sesko, Matheus Cunha dhe Bryan Mbeumo, të cilët ishin të gjithë në fushë ndaj Grimsby. Tani presioni mbi Amorimin është në rritje, me ndeshjen ndaj Burnley, të shtunën në “Old Trafford”, që pritet të jetë një test kritik. Portieri Andre Onana, në paraqitjen e tij të parë këtë sezon, gaboi në të dy golat e pësuar. Megjithatë, Amorim refuzoi ta fajësonte vetëm portierin: “Me gjithë respektin, kur luan kundër një skuadre të kategorisë së katërt, problemi nuk është vetëm portieri. Është gjithçka: mjedisi, mënyra si e përballojmë garën. Sot ekipi foli qartë në fushë – dhe nuk më pëlqeu ajo që dëgjova”.

Trajneri portugez ka thënë se mesazhi që dhënë ekipi në fushë ishte “i qartë” dhe nuk kishte nevojë për shpjegime të mëtejshme: “Është shumë e qartë ajo që ata treguan sot. Mënyra si e nisëm ndeshjen, pa asnjë intensitet, pa zbatim të ideve të presionit … u dukëm të humbur. Kur humbet dhe sheh diçka të re, është ndryshe, por sot nuk pashë asgjë. Dua vetëm të kërkoj falje nga tifozët, sepse ata janë gjithmonë pranë nesh, edhe pas çdo humbjeje”. Amorim mbylli deklaratën me një ton vetëkritik, duke premtuar analiza të thella gjatë pushimit dyjavor që vjen: “Kemi një ndeshje këtë fundjavë dhe më pas dy javë pushim. Do t’i zgjidhim gjërat. Por sot, e vetmja gjë që mund të them është ‘më falni’.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kris Jenner ka folur me krenari për transformimin e saj…