
Analfabetizmi funksional, (de) motivimi, moderniteti dhe teknologjia!
Muhamet Krasniqi, Sociolog
Nëse pajtohemi me faktin se një nga shtyllat më të rëndësishme të shtetit është arsimi, atëherë nuk duhet të lejojmë që kjo shtyllë të jetë e dobët, dhe për më tepër nuk mund të presim që mbi shtylla të dobëta të ngrisim shoqëri dhe institucione të forta!
Çfarë e prodhon analfabetizmin funksional!? Çfarë po i demotivon nxënësit dhe çfarë e nxitë motivimin e tyre!? Si të përfitojmë nga interneti dhe t’i shmangim efektet anësore tëtij!? Cilët janë shkaktarët e performancës jo të mirë të nxënësve!? A ka bazë ngritja e pagave të mësimdhënësve!?
Këto janë disa nga pyetjet, trajtimi i detajuar i të cilave kërkon studim të thellë, shoqëruar me hulumtim kualitativ e kuantitativ, por megjithatë do të përpiqem të shtroj një analizë të një niveli më modest.
Në jetën shoqërore, politike, juridike, ekonomike, kulturore, ushtarake, arsimore e shëndetësore, asnjëherë nuk e kemi një faktor të vetëm si shkaktar të një veprimi apo mosveprimi të caktuar, përkundrazi, kemi shumëllojshmëri shkaqesh të shoqëruara me shumëllojshmëri pasojash. Pa dyshim se edhe “analfabetizmi funksional” apo performanca e jo e mirë e nxënësve nuk mund të bëjë përjashtim nga ky rregull. Prandaj, faktorët historik, politik, ekonomik, teknologjik, gjeografik, klimatik, arsimor, shoqëror, demografik, kulturor, fetar, familjar dhe individual, të gjithë së bashku ndikojnë në prodhimin e situatave, sjelljeve e performancave të caktuara të individëve dhe grupeve shoqërore. Duke qenë kështu, rezultatet jo të kënaqshme të nxënësve në arsimin parauniversitar nuk vijnë thjeshtë si rezultat i mësimdhënësve të tyre, por si rrjedhojë e një vargu faktorësh shumëdimensional.
Radhitja e Kosovës thuajse në fund të listës në testin PISA(Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve) – viti 2015, përkatësisht 2018, ka qenë shkas që të kritikohet me tone të ashpra sistemi i arsimit parauniversitar, me theks të veçantë mësimdhënësit si një nga bartësit kryesor të tij. Në mënyrë automatike dhe pa u menduar mirë, faji hidhet tek mësimdhënësit! Harrohet se ata janë vetëm zbatues të Kornizës Kurrikulare, Kurrikulave Bërthamë (niveli I, II dhe III) dhe strategjive e planprogrameve mësimore të hartuara nga Ministria e Arsimit (MASHTI), e cila së bashku me DKA është përgjegjëse për mbarëvajtjen e arsimit parauniversitar në Kosovë.
Askush nuk mund ta mohojë se gjendja në arsimin parauniversitar (hiq më mirë nuk qëndron as arsimi universitar) nuk është kënaqshme. Por gjithashtu askush nuk duhet të presë përmirësim cilësor për një kohë të shkurtër.Kemi parasysh se kritikët janë të prirur që “përmirësimin” ta shohin në krahasim me vendet e zhvilluara, ndërsa optimistët në krahasim me të kaluarën e pazhvilluar.
Ajo që po bëhet është krahasimi i Kosovës me vendet me zhvillim të lartë. Por neglizhohen shumë faktorë historik, politik, ekonomik, industrial, intelektual, ushtarak, kulturor e gjeografik, të cilët kanë qenë indikator të ngritjes së këtyrevendeve. Nuk ju bëhet analizë kronologjike e sociologjikerrethanave dhe proceseve që kanë quar në zhvillimin arsimor të vendeve perëndimore dhe disa vendeve nga Azia e largët, por thjeshtë me dëshpërim shikohen statistikat përfundimtare. Nuk kujtohet fakti se vetëm 23 vjet i kemi nga përfundimi i luftës dhe 14 vjet nga pavarësia. Nuk do të ishte praktikë e mirë dhe nuk kemi kapacitet të sjellim mësimdhënës nga vendet perëndimore, të cilët as për trefishin e pagës së një mësimdhënësi të Kosovës nuk do të pranonin të punonin. Si ka mundësi të çalojmë në çdo fushë tjetër, ndërsa të presim të lulëzojë arsimi!? Mësimdhënësit dhe çdo kategori tjetër nuk mund të jenë tjetër veçse produkt i shoqërisë.
Duke qenë se për t’i matur arritjet tona si shtet, jemi duke u krahasuar me vendet më të zhvilluara perëndimore, padyshim se pritshmëritë s’mund të jenë të larta, për aq kohë sa trendi i progresit të tyre ka krijuar një hendek dhe distancë konstante e cila është vështirë të ngushtohet.
Pastaj pse të mos krahasohen edhe kategori të tjera shoqërore, kulturore, ekonomike, politike, shëndetësore, etj!? Le të krahasohet edhe gjendja e rënduar ekonomike, sociale, kulturore, teknologjike, infrastrukturore, ushtarake me atë të vendeve perëndimore! Në secilën prej këtyre fushave/sektorëve ne jemi shumë më mbrapa, andaj edhe sistemi arsimor s’mund të bëjë përjashtim!
Rezultatet e dukshme dhe të prekshme të arsimit nuk mund të vijnë pas një viti, dekade, strategjie e reforme të caktuar, por ato rrjedhin si shprehje e përpjekjeve serioze dhe të pandalshme nga të gjithë akterët kompetent e profesionistë.
Në vijim do të përmenden dy grupe faktorësh të përgjithshëm, të cilët në mënyrë direkte apo indirekte ndikojnë në arsimin parauniversitar:
Kur i kemi parasyshë gjithë këta faktor, të jashtëm e të brendshëm dhe ta kthejmë në përqindje përgjegjësinë e të gjithë akterëve, secili le të kalkulojë se ku dhe sa qëndron përgjegjësia e mësimdhënësve në raport me performancën e ulët të nxënësve në kontekstin tonë historik, shoqëror, politik, ekonomik e gjeografik!?
Mjeku, inxhinieri, arkitekti, bujku, polici, ushtari, gazetari, mësimdhënësi, biologu, fizikani, kimisti, avokati, prokurori, historiani, sociologu, psikologu, deputeti, qeveritari, që të gjithë kanë dalë nga bankat shkollore. Nëse pajtohemi me faktin se një nga shtyllat më të rëndësishme të shtetit është arsimi, atëherë nuk duhet të lejojmë që kjo shtyllë të jetë e dobët, dhe për më tepër nuk mund të presim që mbi shtylla të dobëta të ngrisim shoqëri dhe institucione të forta! Shtylla të dobëta do të mbesin nëse arsimi nuk është ndër prioritetetkryesore të shtetit, nëse arsimi ka buxhet të ulët, nëse nuk ka investime të mjaftueshme infrastrukturore e ligjore, nëse nukhartohen reforma e strategji bashkëkohore duke pasur për bazë mundësitë e aplikimit të tyre, nëse që nga shkolla e mesme e ulët nxënësit nuk orientohen se çfarë drejtimi është i përshtatshëm të përzgjedhin në shkollën e mesme të lartë,nëse nuk ka respekt për mësimdhënësin, nëse njolloset e nëpërkëmbet dinjiteti i mësimdhënësit, nëse mësimdhënësi ka pagë të pamjaftueshme për ta përballuar koston e jetesës, nëse mësimdhënësi sapo ta mbarojë mësimin ka hall se si do t’ia dalë muajit me pagën e ulët, nëse arsimi është i politizuar (partizuar), nëse klasa ka mbi 28 nxënës, nëse nuk ka ligje e rregullore të zbatueshme për të krijuar klimë të disponueshme për mësimdhënie e mësimnxënie, nëse nuk ka drejtësi, barazi, transparencë dhe paanshmëri, nëse nuk merren masa disiplinore në përputhje me ligjet dhe Udhëzimet Administrative. Në kushte të tilla nuk ka arsye të zihemi në befasi me rezultata jo të mira në arsimin parauniversitar.
Paga të dinjitetshme
Garantimi i pagave të dinjitetshme për mësimdhënësit është obligim dhe përgjegjësi morale e ligjore për çdo shtet që arsimin e sheh si një ndër prioritetet kryesore të tij, përndryshe është krejtësisht absurde të priten rezultate të mira. Dhe prioritet nuk tregon se ke vetëm duke ndërtuar shkolla, por edhe kur bartësit e atyre shkollave trajtohen me dinjitet e respekt. Paga e dinjitetshme praktikisht do ta ndryshonte gjendjen psikike dhe emocionale të mësimdhënësit, situatë kjo e cila do të rriste motivin për punë dhe do të shndërrohej nënjë nga indikatorët e përmirësimit të cilësisë në arsim.
Nëse pagat duhet të kushtëzohen me performancë të mirë, atëherë kjo praktikë nuk mund të aplikohet vetëm në fushën e arsimit, por duhet të shtrihet në çdo fushë dhe sektor tjetër publik e politik. Duke qenë se si shtet kemi ngecur në çdo institucion, atëherë asnjë institucion, politik apo civil qoftë, nuk do të bënte përjashtim nga kjo praktikë. Por një shtet serioz nuk mund të funksionojë mbi një mendësi të tillë.
Si do që të jetë, vetëm pasi të jenë konsoliduar institucionet, të është funksionalizuar shteti i së drejtës dhe të jenë ngritur pagat në një nivel të dinjitetshëm për disa dekada me radhë, mund të kushtëzohet ngritja apo zbritja e tyre varësisht nga performanca dhe rezultatet e nxënësve dhe mësimdhënësve,por jo edhe në periudha tranzicioni të shtetndërtimit.
Shkolla përballë teknologjisë dhe modernitetit
Çfarë të bëjnë mësimdhënësit që nuk mund t’i përmbushinpritshmëritë e nxënësve për shkollën!? Sot për një pjesë të nxënësve shkollat nuk janë më atraktive. Kjo për arsye se ata përdorin mjete të ndryshme teknologjike si smartphone, lap top, TV, sony play station, pastaj shkojnë në kinema, dalin në kafiteri (një pjesë edhe në klube të natës), merren me sport e rekreacion, janë pjesë e kurseve të gjuhëve të huaja, marrin informacione nga interneti, etj. Ata janë shkëputur nga bota reale dhe janë futur në vorbullën e botës virtuale, ku më tepër vlerë kanë komplimentet publike në rrjete sociale, sesa ato që shprehen sy më sy.
Të gjitha këto arritje teknologjike dhe mundësi që i ka ofruar epoka moderne, një pjesë e nxënësve i vlerësojnë më tepër se shkollat. Andaj mësimdhënësit nuk janë fajtor pse shkollat nuk mund t’i shndërrojnë në kafiteri, kinema, në vende ku luajnë sony e në fusha sporti (përveç kohës kur kanë lëndë të posaçme). Gjithashtu mësimdhënësit nuk janë fajtor përse shkollat nuk janë të pajisura me kabinete të lëndëve e fushave të caktuara, nga të cilat nxënësit do të kishin edhe punë praktike.
Përballë inovacioneve dhe mundësive që ka ofruar epoka digjitale dhe moderniteti, shkollat në përgjithësi dhe ato të Kosovës në veçanti do ta kenë vështirë t’i motivojnë nxënësitqë t’i shohin shkollat me prioritet të lartë.
Prishtinë, 16.09.2022