Analistët Dërguti, Arifi, Balaj dhe Paqarizi: Ahmet Isufi vlerë e shtuar e politikës, duhet të jetë pjesë e Kuvendit
Kandidatura e Ahmet Isufit për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e 28 dhjetorit po vlerësohet lart nga analistë dhe njohës të zhvillimeve politike në vend.
Analistja politike Aida Dërguti, në emisionin Rubikon në Klan Kosova, e cilësoi Ahmet Isufin si personalitet me vlera të larta dhe figurë të nevojshme për politikën kosovare. Ajo theksoi se përvoja dhe profili i tij do të ishin kontribut i rëndësishëm në Kuvend. “Ahmet Isufi është një njeri me vlera dhe do të ishte shumë mirë nëse fiton kësaj radhe”, u shpreh Dërguti.
Edhe ish-diplomati Avni Arifi ka veçuar kandidaturën e Isufit, duke theksuar se ai është i vetmi kandidat nga Anamorava që i përket lëvizjes së viteve ’80 dhe ’90, si dhe i vetmi që përfaqëson të burgosurit politik të asaj periudhe. Sipas Arifit, partitë tjera politike kanë përjashtuar nga listat figurat e kësaj gjenerate.
Vlerësime pozitive për Isufin kanë dhënë edhe analistët Labinot Balaj dhe Rrahman Paqarizi. Balaj theksoi se figura si Ahmet Isufi janë vlerë e shtuar për politikën kosovare, duke pasur parasysh veprimtarinë e tij që nga vitet e ’80-ta. Ndërkaq, Paqarizi nënvizoi se AAK ka kandidatë të fortë dhe të votueshëm, duke e përmendur Isufin si një nga emrat më interesantë në garë.



