
Analistët: Fushata zgjedhore, e qetë dhe cilësore
Njohësit e rrethanave politike dhe shoqëria civile e kanë vlerësuar fushatën e deritanishme të qetë dhe cilësore. Ata kanë bërë me dije se fushata për zgjedhjet lokale të 17 tetorit është më cilësore se fushatat e mëhershme.
Sipas tyre, në këtë fushatë po dominojnë diskutimet programore dhe kandidatët për kryetar komune janë më të përgatitur.
Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka thënë për gazetën “Epoka e re” se kjo fushatë është më pak e hetueshme sepse nuk ka tubime masive.
“Për dallim nga fushatat e mëhershme, kjo është disi më pak e hetueshme sepse nuk ka tubime masive dhe pothuajse e gjithë fushata po zhvillohet në rrjetet sociale. Më aktiv më duken kandidatët për kryetar të Prishtinës, sidomos Uran Ismaili i PDK-së dhe Daut Haradinaj i AAK-së. Së fundi motorët i ka ndezur edhe Përparim Rama. Kjo përshtypje ndoshta vjen edhe nga mbulimi që i bëhet kësaj fushate në mediat qendrore, por edhe për shkak se Prishtina është testi kryesor për raportin aktual të forcave”, ka thënë ai.
Më tej, Maliqi ka përmendur disa karakteristika të kësaj fushate. “Ka edhe s’ka dallime në pritjet nga fushata. Koalicioni LV me ‘Guxo’ nuk është aq aktiv dhe agresiv si më herët. Mbase është i bindur se ka fitore të sigurt në shumë komuna. Sigurisht se ky koalicion, atje ku ka arritur të kandidojë njerëz të besueshëm, është favorit për marrjen e shumicës së votave, edhe për faktin se te partitë opozitare nuk ka ndryshime më rrënjësore dhe premtuese”, ka thënë Maliqi.
Edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka folur për dallimet e kësaj fushate zgjedhore nga ato parapraket.
Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se në këtë fushatë kryesisht po garohet me programe. “Fushata e deritanishme në përgjithësi mund të vlerësohet kryesisht e qetë, me përjashtime të vogla, ku kandidatë të caktuar për kryetar komune, apo anëtarë të kuvendeve komunale, mungesën e programeve dhe ofertës për komunën që garojnë janë duke e kthyer në luftë personale me kundërshtarët e tyre. Karakteristikë e kësaj fushate është fakti se ka kandidatë me ide dhe projekte të qarta për komunën që garojnë, sikurse e kundërta kandidatë që ende nuk kanë një program të shkruar apo ofertë për qytetarët”, ka thënë Miftaraj.
Sipas tij, në shumicën e komunave kandidatët për kryetar të komunave janë të përgatitur. “Në shumicën e komunave partitë politike kanë propozuar kandidatë të cilët janë jashtëzakonisht të përgatitur dhe me vizion të qartë për ta përmirësuar jetën e qytetarëve, për të ofruar shërbime më cilësore brenda kompetencave dhe përgjegjësive të tyre. Në anën tjetër, vërehet mungesë vizioni dhe oferte nga kandidatët e tjerë të cilët këtë mungesë në praktikë po e kompensojnë jo rrallëherë me gjuhë të papërshtatshme, akuza personale dhe propagandë”, ka thënë Miftaraj.
Ditë më parë edhe rrjeti i organizatave për monitorimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” ka shpalosur të gjeturat kryesore nga vëzhgimi i gjysmës së parë të fushatës për zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Ky rrjet i organizatave ka theksuar se vëzhgimi i kësaj periudhe është bërë duke u fokusuar në pesë elemente kyçe, përfshirë respektimin e masave anti-Covid dhe rregullave zgjedhore, formatin e fushatës, ofertat politike, kandidaturat, duke përfshirë aty edhe aspektin gjinor, si dhe shpenzimet e kandidatëve të subjekteve politike.
“Përvoja e krijuar nga dy palë zgjedhje paraprake në Kosovë në kohë pandemie ua ka dhënë kohën e nevojshme subjekteve politike që t’i adaptojnë strategjitë e tyre për rrethanat e reja, duke e orientuar fushatën e tyre kryesisht në platforma digjitale. Gjithsesi, nuk kanë munguar edhe aktivitetet zgjedhore me prani fizike të qytetarëve, ku vërehet një dozë më e lartë përgjegjësie për respektimin e masave kundër Covid-19, për dallim nga zgjedhjet e fundit parlamentare të shkurtit 2021. Sidoqoftë, respektimi i distancës sociale dhe vendosjes së maskave gjatë këtyre aktiviteteve lë shumë për të dëshiruar, sidomos në takime me hapësira të mbyllura që subjektet dhe kandidatët po mbajnë në zonat rurale”, ka vlerësuar DnV-ja.
Sipas këtij rrjeti të organizatave, në këtë fshatë ka oferta më të qarta programore për qytetarët. “Ndryshe nga fushatat e kaluara zgjedhore, këtë herë shpalosja e programeve politike është bërë që në fillim të fushatës, element të cilin kandidatët duket se e kanë vlerësuar si përparësi konkurruese në garë. Debutimi i kandidatëve me oferta më të qarta programore është duke e ndryshuar për të mirë edhe diskursin dhe gjuhën e fushatës krahasuar me diskutimet e dikurshme, që përbërës kryesorë kishin akuzat dhe kundërakuzat”, ka vlerësuar DnV-ja.
Për shkak të situatës me pandeminë Covid-19, partitë politike kanë ndryshuar fushatën zgjedhore. Duke u fokusuar në fushata digjitale dhe takime të vogla me qytetarë, kandidatët i kanë informuar qytetarët me pikat kryesore të programeve të tyre.
Rrjetet sociale, sidomos platformat “Facebook” dhe “Instagram”, së bashku me debatet televizive, janë rrjetet dhe kanalet më të përdorura për publikimin e platformave politike deri më tani.
(Muhamet Koci)