Analistët politikë thonë se letra e Kurtit për LDK-në është dinake dhe përçarëse

05 maj 2025 | 16:25

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka shkruar një letër kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), më 5 maj, përmes së cilës e ka ftuar për marrëveshje politike mes dy partive.

Kurti e ka ftuar Lumir Abdixhikun që LV-ja dhe LDK-ja të bëjnë koalicion qeverisës, i cili do t’i hapte rrugë zhbllokimit të Kuvendit të Kosovës dhe formimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Letra u bë publike pas dështimit të përpjekjes së njëmbëdhjetë për konstituimin e Kuvendit.

Disa orë pas dërgimit të letrës nga Kurti, Abdixhiku ka thënë se partia e tij do t’i përgjigjet asaj zyrtarisht.

Duke folur para gazetarëve, ai ka thënë se letrën nuk e ka parë ende, por se do të kthejë përgjigje “me kohë”. Ai i ka kërkuar anëtarëve të partisë së tij që “gjendjen e tanishme ta trajtojnë pa arrogancë shumë”.

Në letrën e tij, Kurti ka shkruar se është “i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në”.

Kurti i ka thënë Abdixhikut se “koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime”, teksa ka shkruar se ka bindjen që “votuesit e LDK-së sot e preferojnë më së shumti koalicionin me LV”. “Edhe votuesit e LV-së e preferojnë po ashtu më së shumti koalicionin me LDK. Pse të mos e bëjmë”, është shprehur Kurti në letrën drejtuar Abdixhikut.

Kreu i LV-së, në letër, nuk e ka përjashtuar as gatishmërinë e partisë së tij për shkuarje në zgjedhje të reja, por ka thënë se edhe ato do të çonin drejt një koalicioni mes LV-së dhe LDK-së.

“Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash?”, e ka pyetur Kurti, Abdxhikun.

Analisti politik nga Prishtina, Artan Muhaxhiri, tha në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë” se mënyra e formulimit të letrës së kreut të Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, drejtuar Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), “është jashtëzakonisht dinake”.

Sipas tij, kjo letër është më shumë një veprim formal, me synimin për të përmirësuar imazhin bashkëpunues në opinionin publik, sesa që ka një peshë reale dhe konkrete.

Edhe Ismet Kryziu drejtor i KDI-së ka komentuar letrën e Kurtit dërguar Abdixhikut. “Sot, Kurti i paska shkruar sërish Abdixhikut, kësaj here jo vetëm për konstituimin e institucioneve, por për një koalicion qeverisës. Një letër që, për nga përmbajtja, lë shumë për të dëshiruar, sidomos kur vjen nga një ish-kryeministër, a kryeministër në detyrë dhe lider i subjektit më të madh politik. Pra, është e lehtë ta refuzosh letrën për gjuhën dhe qasjen e papërshtatshme. Por më e rëndësishme është të mos refuzojmë mundësinë për dialog ndërpartiak. LDK-ja duhet të veprojë politikisht jo për t’i shërbyer LV-së, por për të mos i shërbyer krizës së zgjatur politike dhe institucionale”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Burim Ramadani, ka thënë se letra e fundit e Kurtit për LDK-në është faza e re për përçarjen e partive shqiptare.

“E filloi me Nisma-n për të njëjtin qëllim, por nuk bëri shumicën. Po vazhdon synimin ndaj LDK-së krejtësisht njëjtë! Kjo nuk është logjikë shtetërore. Është logjikë përçarëse vetëm e vetëm për të mbajtur pushtet. Por, pushteti nuk mbahet me patjetër. ‘O unë, o askush!’. Politikani duhet të ketë parime e dinjitet! Kur nuk ke shumicë, thjesht pranon realitetin. Kthehesh në opozitë dhe bëhesh gati për zgjedhjet tjera kurdo që janë! Kaq, e thjeshtë është demokracia. Shumica qeveris!”, ka shkruar në “Facebook”, Ramadani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aplikacioni Skype, pronësi e Microsoft do të mbyllet të hënën…