
Analistët: Propozimet e Kurtit, në shpërputhje me qëndrimet e ndërmjetësuesit
Njohësit e procesit të dialogut Kosovë – Serbi kanë thënë se propozimet e kryeministrit Albin Kurti rreth dialogut Kosovë – Serbi kanë qenë në shpërputhje me qëndrimet e ndërmjetësuesit të këtij procesi. Ata kanë deklaruar se këto propozime kanë qenë legjitime, por nuk janë pranuar nga BE-ja. Sipas tyre, sado përmbajtjesore që mund të jenë propozimet, ato mund të shihen si frenuese të procesit të dialogut nëse nuk pranohen nga ndërmjetësuesi i dialogut
Muhamet KOCI
Njohësit e procesit të dialogut Kosovë – Serbi kanë treguar arsyet pse janë refuzuar propozimet e kryeministrit Albin Kurti në dialogun Kosovë – Serbi. Ata kanë bërë me dije se këto propozime janë në shpërputhje me qëndrimet e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajaçk.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashi, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se sado përmbajtjesore që mund të jenë propozimet, ato mund të shihen si frenuese të procesit të dialogut nëse nuk pranohen nga ndërmjetësuesi. “Propozimet duhen parë, siç thashë, të mira nëse pranohen nga ndërmjetësit, ani pse mund t’i kundërshtojë pala serbe, por nëse këto propozime nuk pranohen as nga ndërmjetësit (BE-ja dhe ShBA-ja), atëherë do të thotë se ato kërkesa, sado përmbajtjesore që mund të jenë, do të shihen si frenuese të procesit të dialogut”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka bërë me dije se pala e Kosovës duhet të bëjë kujdes që të mos bëhet penguese e këtij procesi. “Sipas mendimit tim, pala e Kosovës nuk duhet të shpallet frenuese e procesit nga ana e ndërmjetësve ndërkombëtarë, sepse kjo mund të ketë pasoja për ne, siç i kemi parë në një të kaluar jo të largët kur ne u akuzuam se do ta bllokojmë dialogun për demarkacionin dhe për taksën. Nuk jam në mesin e atyre që mendojnë se dialogu ka alternativë dhe se shtetet mike duhet të mos përzihen në punët tona. Të dyja këto qëndrime i konsideroj gabime kardinale”, ka deklaruar Gashi.
Edhe drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka theksuar se propozimet e kryeministrit Albin Kurti në Bruksel kanë qenë në kundërshtim me qëndrimet e BE-së. “Takimi i parë dhe takimi i dytë në mes të kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq më tepër mund të karakterizohen si takime njoftuese në mes dy aktorëve sesa që kanë prodhuar diçka konkrete. Propozimet dhe qasja e kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq janë në shpërputhje me qëndrimet dhe kërkesat e përfaqësuesit të BE-së, z. Lajcak, të cilit, së paku deri më tani, si duket, i ka dalë nga kontrolli menaxhimi i këtij procesi”, ka thënë Miftaraj për gazetën “Epoka e re. Ai ka deklaruar se kërkesat e kryeministrit të Kosovës në këto takime kanë qenë legjitime. “Përderisa kërkesat e kryeministrit Kurti janë legjitime dhe mund të gjejnë përkrahje të gjerë popullore, të njëjtat nuk është se janë në linjë të plotë me rrjedhën dhe agjendën e përgatitur nga BE-ja dhe përkrahur edhe nga ShBA-ja. E njëjta vlen edhe për presidentin Vuçiq, i cili tanimë dialogun, si duket, ka filluar të shfrytëzojë si fushatë parazgjedhore”, është shprehur ai.
Në shtator do të ndryshohet dinamika e procesit
Njohësit e këtij procesi kanë paralajmëruar se dinamika e dialogut Kosovë – Serbi do të ndryshojë në muajin shtator. Sipas tyre, ndërmjetësuesi nuk do t’i tolerojë palët që të vazhdojnë të mos pajtohen për asgjë në këtë proces. “Nuk e di sa mund të vazhdojmë kështu, duke ditur se shtetet mike të Kosovës po kërkojnë me ngulm lëvizje në procesin e dialogut. Është herët të prognozojmë çfarë mund të jenë pasojat e këtij pozicionimi intarsigjent të palëve”, ka thënë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashi.
Kurse drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka thënë se kërkesat e BE-së dhe të ShBA-së do të ndryshojnë nga muaji shtator. “Përderisa BE-ja ka pasur durim në dy takimet e para, takimi i shtatorit me siguri se do të ndryshojë në substancë dhe në kërkesat që mund të vijnë si nga BE-ja ashtu edhe nga përfaqësuesi i ShBA-së, z. Palmer, të cilët dyshoj se mund të tolerojnë takime të këtij niveli, ku shpenzohet shumë kohë dhe energji në tema të cilat largojnë palët nga një marrëveshje eventuale”, ka thënë ai.
Sipas Miftarajt, mosndryshimi i dinamikës së këtij procesi do ta minonte edhe autoritetin e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajaçk.
“Një takim i muajit shtator i njëjtë me dy takimet e para do ta minonte në masë të madhe autoritetin e z. Lajçakut si person kompetent dhe që është në gjendje të kontrollojë dhe t’i përcaktojë temat që mund të promovojnë arritjen e një marrëveshje mes palëve”, është shprehur ai.
Deri më tani kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar dy takime në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Në të dy këto takime Kurti ka bërë disa propozime të cilat janë refuzuar nga BE-ja dhe Serbia.
Në takimin e parë, i cili është mbajtur më 15 qershor, Kurti ka bërë katër propozime. Propozimi i parë ka qenë që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA. Propozimi i dytë ka qenë që Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes, duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Sipas propozimit të tretë të kryeministrit, pas njohjes së ndërsjellë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të dyja vendet do të duhej të kishin reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave. Në propozimin e katërt Kurti kishte përfshirë çështjen e të pagjeturve. Pas takimit kryeministrit Kurti ka treguar se propozimet e tij janë refuzuar.
Ndërsa në takimin e dytë, i cili është mbajtur më 19 korrik, Kurti ka propozuar Deklaratë të Paqes në mes të dy vendeve. “Në takimin e dytë me delegacionin e Serbisë në Bruksel, sot ofruam një Deklaratë të Paqes me gjashtë nene, të balancuar edhe në gjuhën angleze, e cila flet për zotimin për mossulmim të njëri-tjetrit dhe për reciprocitet të të drejtave. Po ashtu, ofruam edhe dëshmi të 11 shkeljeve që i bën Serbia ndaj Kosovës përmes barrierave kundër tregtisë së lirë e që do të duhej të eliminoheshin. U refuzuan të dyja këto”, ka thënë Kurti pas takimit.