
Analisti Blerim Vela: Oferta e LDK-së, një hap para dhe dy hapa pas
Analisti politik Blerim Vela ka thënë se oferta e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për Lëvizjen Vetëvendosje (LV) është një hap para dhe dy hapa pas.
Ai ka thënë se oferta e LDK-së ka vetëm një ide të dobishme për kompromisin me LV-në, heqjen dorën nga udhëheqja e ministrive specifike (MPB). Ndërkaq, sipas tij, në anën tjetër, është përsëritje e qëndrimeve që kane çuar në bllokim të diskutimeve me LV-ë.
“LDK-ja vazhdon të insistoj që presidenti të nominohet nga LDK-ja dhe që 2 nga 6 anëtarët e Kryesisë së Kuvendit t’i takojnë asaj. Një ndarje e tillë e përgjegjësive institucionale e bën LV-në parti të minorancës në qeverisje, jo parti që ka fituar zgjedhjet. Pika e fundit e ofertës për qeveri të minorancës paraqet ftesë për vazhdimësi të jostabilitetit institucional. Për më tepër, është përgatitje e terrenit për zgjedhje të parakohshme në rastin e parë që ka mospajtime të theksuara mes LV-së dhe LDK-së”, ka shkruar Vela në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka shtuar se LDK-ja dhe LV-ja duhet t’i kthehen tavolinës së diskutimeve me afat të definuar dhe jo të bëjnë ‘mbindërtime’ të pjesëve për të cilat janë pajtuar veçse.
“Këto ‘mbindërtime’ po përdoren vetëm për t’i ikur mundësisë për arritjen e marrëveshjes së kompromisit”, ka thënë analisti Vela.
/Epoka e re/