Analisti gjerman: Kërkesa për ndryshim të Kushtetutës është gafa më e madhe e Lajçakut

23 tetor 2020 | 11:21

Pakënaqësia e qytetarëve të Kosovës, që për fatin e tyre do të ndërmjetësojë një politikan që vjen nga një shtet që nuk e njeh Kosovën të pavarur, është rritur edhe më shumë kur emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka thënë se duhet të ndryshohet Kushtetuta për të mundësuar krijimin e një sistemi paralel që cenon shtetësinë e Kosovës.

Ndonëse nga BE-ja janë arsyetuar se Lajçaku nuk e ka përjashtuar as ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë, duke thënë se arritja e një marrëveshjeje ndërkombëtare e kërkon edhe këtë sakrificë. Analisti gjerman, Bodo Weber është duke e konsideruar veprimin e Lajçakut si gafën më të madhe të sllovakut që kur e ka marrë postin e përfaqësuesit special të BE-së.

Weber në një intervistë për “Klan Kosova” ka thënë se kjo mund të jetë edhe një shenjë e fuqishme se ai nuk e njeh mirë problematikën e madhe që mund të sjellë një Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Deklarata e përfaqësuesit special, Miroslav Lajçak, edhe nëse veç lë të kuptohet mundësinë për ndryshimin e Kushtetutës në kontekstin e krijimit të një asociacioni të ardhshëm të komunave me shumicë serbe, është gafa më e madhe e tij që kur mori postin. Kjo ose konfirmon paragjykimet etnike të tij se është pro-serb, ose tregon se ai nuk e kupton më të vërtetë çështjen e asociacionit. Në çdo rast, ai i ka shkaktuar dëme të mëdha autoritetit të tij si përfaqësues special i BE-së duke filluar nga Kosova. Dikush mund të shohë që Lajçak nuk ka mbështetje politike nga vendet anëtare të BE-së për këtë deklaratë, kjo shihet përmes asaj që u tha nga zëdhënësi i Brukselit si një reagim ndaj kritikës së ashpër të Prishtinës”, ka thënë ai.

Weberi ka thënë se krijimi i një mekanizmi të tillë ishte rezerva që ruanin të dy presidentët, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq.

“Ky është një opsion rezervë për Beogradin pasi ra tentativa e Vuçiqit dhe Thaçit për shkëmbim territoresh, në të cilën synohej imponimi i një ndarjeje false në bisedime – shkëmbim territoresh ose asociacion me kompetenca ekzekutive. Çështja e asociacionit as nuk është zgjidhur qartë siç insiston kryeministri Hoti dhe as nuk ka ndonjë ndarje të tillë. Marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015 kanë lënë të hapura pyetjet kryesore dhe kjo ishte arsyeja kryesore që implementimi u bllokua me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit të 2015-ës”, është shprehur Weberi.

Gjermani ka dhënë edhe një ide se si mund të ndodhë një zgjidhje tjetër, as siç ka thënë Prishtina zyrtare dhe as siç ka thënë Beogradi zyrtar.

“Një zgjidhje, e cila mund të ndodhë vetëm në kornizën e një marrëveshje të plotë gjithëpërfshirëse nuk është as në pozicionin që po e mban Beogradi dhe as Prishtina, që do të thotë një OJQ me kompetenca ekzekutive siç është Asociacioni, por në një mënyrë të tretë. Kjo mënyrë e tretë, në të cilën unë e kam përshkruar një zgjidhje këto vjetët e fundit, duhet të bazohet në frymën e Ahtisaarit duke kombinuar një vetëqeverisje me mbrojtjen e të drejtave kolektive në mënyrën që i shërben nevojave që duhet të adresojnë frikën e serbëve të Kosovës (kryesisht në veri) për t’u integruar në shtetin e Kosovës, në demokraci dhe sundim të ligjit”, është shprehur Weberi.

Përmes kritikës së ripërsëritur se shteti amerikan ka minuar përpjekjet e evropianëve në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Weberi e ka arsyetuar mungesën e presionit dhe shtyrjes përpara më me forcë të këtij dialogu nga BE-ja.

“Është narrativa zyrtare e BE-së që nuk do të imponojë zgjidhje mes dy vendeve, por të gjitha palët e dinë shumë mirë se ky nuk është synimi i dialogut politik dhe negociatave për një marrëveshje përfundimtare. Këtu bëhet fjalë që Serbia duhet të bëhet reale duke pranuar faktin, që ata e dinë shumë mirë për një kohë të gjatë se e kanë humbur Kosovën, si një bazë për gjetjen e një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve bilaterale me Kosovën dhe për perspektivën e saj të anëtarësimit në BE. Për fat të keq, zyrtarët e BE-së, veçanërisht udhëheqësit e vendeve anëtare aktualisht janë të penguar për të lëvizur më me shumë presion në negociata për shkak të minimit të procesit të rivendosjes së negociatave nga performanca e njëanshme e administratës Trump që çoi në “marrëveshjen” e Shtëpisë së Bardhë të 4 Shtatorit. Kjo është arsyeja pse ne do të shohim fillimin e negociatave të vërteta vetëm pasi administrata e re e ShBA-së të vijë në zyrë”, është shprehur ai.

Më tutje, ai ka thënë se edhe heshtja e ShBA-së ndaj asaj që po prodhohet nga dialogu Kosovë-Serbi i lehtësuar nga BE-ja lidhet me interesat e Administratës Trump, për të cilat ka thënë se kanë përfunduar pas 4 shtatorit.

Për më tepër, çështja e asociacionit 10 ditë para zgjedhjeve është e papërfillshme për ShBA-në, sipas Weberit.

Ai ka theksuar se Kosova nuk do të sheh ndonjë angazhim më të madh të ShBA-së kur ky shtet kurrë nuk kishte ndonjë interes të mirëfilltë në çështjet politike të mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi.

Derisa ka thënë se Kosova dhe Serbia janë keqpërdorur pa asnjë lidhje për politikat e jashtme dhe të sigurisë të Administratës Trump, Weberi marrëveshjen e 4 shtatorit e ka konsideruar edhe si interes parësor dhe personal të karrierës së emisarit, Richard Grenell

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Polonia ka publikuar bilancin e 24 orëve të fundit me…