
Ancelotti largohet nga Reali pas finales në Kupën e Mbretit
Trajneri italian Carlo Ancelotti ka marrë vendimin për t’i dhënë fund aventurës së tij në krye të Real Madridit pas finales së Kupës së Mbretit kundër Barcelonës, e cila do të luhet më 26 prill.
Sipas burimeve pranë klubit, largimi i Ancelottit vjen pas një sërë zhvillimesh të brendshme, përfshirë dhe një ultimatum të vendosur nga presidenti Florentino Perez, i cili kishte kushtëzuar qëndrimin e tij me kualifikimin në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, objektiv që nuk u realizua. Ancelotti, i cili u rikthye në stolin e “Los Blancos” në vitin 2021, largohet pas katër vitesh në krye të skuadrës madrilene. Gjatë kësaj periudhe, ai ka udhëhequr klubin drejt sukseseve të rëndësishme si në arenën vendase, ashtu edhe në atë ndërkombëtare.
Destinacioni i radhës për teknikun italian pritet të jetë drejtimi i Kombëtares së Brazilit, një lëvizje që është përfolur prej kohësh dhe që tashmë duket se po konkretizohet.