Ancelotti: Neymari ende nuk është gati për titullar
Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka konfirmuar se Neymar është rikuperuar dhe është në gjendje të mirë fizike, por ka lënë të kuptohet se ylli brazilian nuk do të jetë titullar në përballjen ndaj Japonisë në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës.
Neymar u rikthye me fanellën e Brazilit në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve ndaj Skocisë, pas një mungese trevjeçare. Sulmuesi kishte kaluar një periudhë të vështirë për shkak të një dëmtimi serioz në gju dhe më pas një problemi në pulpë, që e mbajti jashtë disa ndeshjeve.
Në konferencën për shtyp para sfidës me Japoninë, Ancelotti tha se Neymar ka bërë përparime të mëdha, por ende nuk është gati për të luajtur një ndeshje të plotë.
“Neymar ka përparuar shumë. Javën e kaluar u përmirësua ndjeshëm. Ai mund të luajë më shumë se 15 minuta dhe është në gjendje të mirë fizike. Gjithçka do të varet nga rrjedha e ndeshjes”, deklaroi trajneri italian.
Ancelotti gjithashtu nuk u përfshi në polemika pas deklaratave të sulmuesit japonez Kento Shiogai, i cili kishte thënë se Brazili nuk është më forca e dikurshme në futbollin botëror.
“Ne jemi të fokusuar vetëm te ndeshja, te cilësitë e kundërshtarit dhe përgatitja jonë. Nuk merremi me lojëra psikologjike”, u shpreh ai.
Japonia shihet si një kundërshtar i rrezikshëm për Brazilin, pasi “Samurait Blu” janë në një seri prej 10 ndeshjesh pa humbje dhe kanë treguar formë të mirë gjatë turneut.
Përballja Brazil–Japoni pritet të jetë një nga sfidat më interesante të fazës me eliminim direkt, ndërsa Neymar pritet të jetë një nga opsionet kryesore nga pankina.



