Ancelotti: Nuk ka favorit në ‘El Clasico’
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti ka folur në konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme (e shtunë) El Clasico kundër Barcelonës. Real Madridi e pret Barcelonën në stadiumin Santiago Bernabeu në ndeshjen e parë El Clasico të sezonit 2024/25 dhe të dy ekipet vijnë nga një formë e lartë. Ancelotti duhet të modifikojë 11-shen e tij dhe të vlerësojë nëse ai ndryshon sistemin pas mungesave të konfirmuara të Rodrygo Goes dhe Thibaut Courtois. Trajneri italian nuk beson se kjo përballje ka një favorit të qartë.
“Skuadra është mirë, e motivuar, pasi si gjithmonë kjo është një lojë e komplikuar dhe argëtuese. Barcelona ka një ide shumë të qartë të lojës, ata janë një ekip shumë i guximshëm dhe ne duhet të përgatitemi mirë për lojën”, ka thënë Ancelotti.
“Ata me të vërtetë po bëjnë shumë mirë, është e vështirë të përmendësh një favorit në një ‘El Clasico’. Për fat të mirë asgjë nuk më mban zgjuar natën. Favorit? Nuk ka, varet nga shumë gjëra, nga mënyra se si i menaxhon ndeshjet, do të ketë raste kur ne kemi kontroll dhe herë të tjera ata do ta kenë. Dhe menaxhimi i kësaj është shumë i rëndësishëm”, ka shtuar ai.
“Plani kundër Barçës? Kam diçka në mendje, por duhet ta shihni nesër dhe më pas mund të më thoni nëse kam gabuar apo jo”, ka përfunduar trajneri italian.



