
Ancelotti paralajmëron botën: Do ta sjellim Kupën e Botës në Brazil pas 24 vitesh
Përzgjedhësi i Kombëtares së Brazilit, Carlo Ancelotti, ka zbuluar ambiciet e tij për Kupën e Botës 2026 në një intervistë për FIFA-n, duke reflektuar mbi vendimin për të marrë drejtimin e “Seleçaos” dhe muajt e tij të parë në krye të ekipit.
Ancelotti pasi u largua nga Real Madridi mori menjëherë drejtimin e Brazilit, kombëtare e cila e kishte bërë prioritet teknikun italian që nga vera e kaluar.
“Besoj se përgjegjësia jonë është të arrijmë atë që çdo brazilian ëndërron, të fitojmë sërish Kupën e Botës pas 24 vitesh”.
Tekniku italian u shpreh se është përshtatur mjaft mirë me ambientin dhe jetën në Brazil.
“Po ndihem shumë rehat me Federatën dhe me lojtarët. Tashmë jemi kualifikuar, ndaj duhet të përgatitemi mirë për Botërorin. Po e shijoj shumë këtë periudhë — të jetosh në Rio de Janeiro është ‘muito bonito’, siç thonë në portugalisht”.
I pyetur pse pranoi ofertën e Brazilit, Ancelotti theksoi se nuk kishte dyshime për një mundësi kaq të madhe në karrierë.
“Menjëherë mendova se drejtimi i kombëtares braziliane ishte një mundësi e jashtëzakonshme, duke qenë se është skuadra më e suksesshme në histori, me më shumë Kupa Bote të fituara. Ideja për t’u përgatitur për Botërorin me Brazilin ishte fantastike. Duhet të falënderoj edhe Real Madridin, që më dha mundësinë të nis këtë përvojë të madhe”.
Sa i përket pritshmërive për turneun që zhvillohet verën e ardhshme në Amerikën e Veriut, Ancelotti shtoi se do të jetë argëtuese.
“Kupa e Botës është turneu më i rëndësishëm në futboll dhe gjithmonë tërheq vëmendjen e të gjithëve. Besoj se do të jetë një garë shumë e balancuar. Ka shumë përfaqësuese me cilësi të mëdha, disa me futbollistët më të mirë në botë. Do të jetë me të vërtetë një Botëror argëtues”.