
Ancelotti s’i ndalë lëvdatat për Mbappe: Është shumë e lehtë ta stërvitësh, është qendërsulmues
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti ka dhënë një rrëfim të rrallë për marrëdhënien e tij me Kylian Mbappe, duke e vlerësuar si një lojtar të stërvitshëm dhe tepër profesionist.
Tekniku italian që drejton kombëtaren e Brazilit thotë se Mbappe i ndihmoi shumë, ndërsa pret që francezi të bëhet veçse më i mirë.
“Është e lehtë të stërvitësh Mbappe? Shumë e lehtë. Në një vit ai nuk më ka kërkuar asgjë: As të gjuajë penallti, as të mos luajë, as të marrë goditjet e lira… Asgjë. Gjithmonë është sjellë me përulësi të madhe. Ka bërë një sezon personal fantastik me 44 gola. Besoj se sezoni i tij i dytë do të jetë edhe më i mirë, sepse është përshtatur dhe shokët e skuadrës e njohin më mirë. Nuk është se nuk i pëlqen të mbrohet, por me karakteristikat që ka, ai duhet mbi të gjitha të shënojë”.
Kylian Mbapppe dhe Carlo Ancelotti
Sa i përket pozicionit të sulmuesit francez, tekniku italian u shpreh:
“Në mendimin tim, Mbappe është qendërsulmues. Aty shfaq më së miri cilësitë e tij: është i shpejtë, teknik, i aftë për kombinime të shpejta në hapësira të ngushta. Prandaj duhet të jetë sa më afër portës. Në krah sigurisht që do të tregojë cilësi, por do të shënojë më pak gola”.
Ancelotti shtoi se intensiteti i futbollit modern e bën të vështirë për sulmuesit anësorë të mbajnë ritmin e lartë gjatë gjithë ndeshjes:
“Futbolli është bërë shumë më intensiv dhe kërkesat fizike për lojtarët e krahut janë rritur. Për Mbappé është më mirë të luajë në qendër, përpara portës”, deklaroi ai për “L’Equipe”.