
Anëtarësimi në SEPA pritet t’i sjellë Kosovës mbi 55 milionë euro përfitime
Këshilli Kombëtar i Pagesave, nën organizimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ka mbajtur takimin e parë për vitin 2025, ku është theksuar përkushtimi institucional për përfshirje financiare, transformim digjital dhe përgatitje për anëtarësim e shtetit tonë në Zonën e vetme të pagesave në euro (SEPA).
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, ka thënë se anëtarësimi në SEPA do të sjellë përfitime vjetore mbi 55 milionë euro, ndërsa BQK-ja është duke ndërtuar infrastrukturë moderne për pagesa të menjëhershme dhe qasje në platformat si “Apple Pay” dhe “PayPal”.
“Një ndër prioritetet tona kyçe mbetet përgatitja për anëtarësim në Zonën e vetme të pagesave në euro – SEPA. Këtë proces nuk e shohim vetëm si një reformë teknike, por si një transformim të thellë strukturor, në përputhje me vizionin tonë për integrim evropian dhe rritje të konkurrueshmërisë ekonomike. Në këtë drejtim, kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm: Kuvendi ka miratuar tri ligje thelbësore për sistemin bankar, shërbimet e pagesave dhe parandalimin e pastrimit të parave, ndërsa BQK-ja ka nxjerrë 20 akte nënligjore për të siguruar përputhshmëri me standardet e BE-së. Më 20 dhjetor të vitit të kaluar, kemi dorëzuar aplikimin preliminar për anëtarësim në SEPA dhe jemi të angazhuar intensivisht në grupe punuese rajonale dhe evropiane për të mundësuar qasjen e bankave dhe institucioneve financiare jobankare në skemat SEPA dhe për të ulur kostot e transfereve ndërkufitare”, ka thënë ai.
Më tutje, guvernatori Ismaili, ka thënë se sipas vlerësimeve aktuale, anëtarësimi në SEPA pritet të sjellë mbi 55 milionë euro përfitime vjetore për qytetarët dhe bizneset e Kosovës përmes uljes së kostove të transfereve, rritjes së efikasitetit dhe përmirësimit të kushteve për eksportuesit dhe sektorin privat.
“Në përputhje me këtë vizion, jemi të përkushtuar edhe në ndërtimin e një sistemi modern të pagesave të menjëhershme, sistemin e pagesave të shpejta TIPS Clone, që përbën një komponentë të rëndësishme të ekosistemit të pagesave, ku në këtë drejtim, kemi nënshkruar letër qëllimin me Bankën e Italisë. Po ashtu, jemi të angazhuar në grupe punuese teknike dhe drejtuese për të shqyrtuar shërbime shtesë si përdorimi i QR kodeve, kërkesa për pagesë (ang. Request to Pay) dhe përdorimi i identifikuesve alternativë si dhe përzgjedhjen e rrjeteve teknologjike si SWIFT apo Nexi. Për të përkrahur këtë transformim, BQK-ja ka ndërmarrë disa masa konkrete. Kemi zbatuar standardin IBAN për të gjitha institucionet jobankare, kemi miratuar udhëzues për standardizimin e QR kodeve, kemi integruar regjistrin e llogarive dhe atë të Kredive me platformën qeveritare ‘e-Kosova’ në bashkëpunim me AShI-në si dhe kemi arritur marrëveshje me Fondin e Kursimeve Pensionale për lidhjen e sistemeve të tij me Regjistrin e Llogarive”, ka thënë Ismaili.
Ai ka thënë se njëkohësisht janë duke punuar vazhdimisht edhe për mundësimin e qasjes në platforma globale të pagesave digjitale si “Apple Pay” dhe “PayPal”.
“Në të njëjtën kohë, mbështetja nga partnerët tanë ndërkombëtarë ka qenë e pazëvendësueshme. Bashkëpunimi me IFC-në është në funksion të mbështetjes për promovimin e bankingut të hapur, sandbox-ve rregullatore dhe mbështetjes nga BQK në ndërtimin e qendrave të inovacionit digjital. Ndërkohë, partneriteti me Bankën Botërore ka kontribuar në modernizimin e kornizës ligjore dhe rregullative, si dhe ndihmës në vijim për avancimin e infrastrukturës teknike, për të cilin jemi mirënjohës dhe falënderues”, ka thënë Ismajli.
Ndërsa ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se digjitalizimi i pagesave do të ulë kostot për qytetarët dhe do të ndihmojë në luftimin e ekonomisë informale.
“Synimi ynë është që të gjejmë një zgjidhje të pagesave. Qysh në kohët e mëhershme janë bërë këmbimi mall me mall deri tek paratë fizike dhe shërbejnë për të lehtësuar këmbimin e shërbimeve. Tani jemi në fazën tjetër që është digjitalizimi i pagesave, që të mundëson shërbimi i këmbimit të mallrave. Shpejtësia e parasë me digjitalizim mund të rris ekonominë. Tek digjitalizimi avantazhet janë pothuajse të qarta, fillimisht tek paratë fizike kemi kosto, kemi edhe problemin e përdorimit të parave të falsifikuara që është përdorim tejet i madh. Është edhe çështja e formalizimit të shpëlarjes së parasë dhe është më e lehtë të parandalohen këto aktivitete të paligjshme. Të sigurohemi që të gjejmë zgjidhje, por edhe përmban kosto të ulët për përdoruesit. Synimi ynë është që kosto e transaksionit të jetë sa më i ulët. Këtë e kemi dëshmuar edhe me iniciativat për digjitalizim nga vetë qeveria, por edhe me projektin e fundit”, ka thënë Murati.
Në këtë takim është vënë në pah edhe bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë si IFC dhe Banka Botërore për modernizimin e sistemit të pagesave në Kosovë.