
Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë së Shqipërisë vizitojnë Këshillin Prokurorial të Kosovës
Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimit të përvojave profesionale, një delegacion i Këshillit të Lartë të Prokurorisë së Republikës së Shqipërisë (KLP), i kryesuar nga Kryetarja znj. Mirela Bogdani, po zhvillon një vizitë në institucionet e sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës.
Fillimisht, delegacioni u prit në takim nga Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), z. Ardian Hajdaraj dhe Zëvendëskryesuesja znj. Jehona Grantolli, të cilët u shprehën të kënaqur për këtë vizitë dhe theksuan rëndësinë e bashkëpunimit në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe shkëmbimin e praktikave të mira në fushën e drejtësisë. “Në emër të Këshillit Prokurorial të Kosovës, shpreh kënaqësinë time dhe vlerësoj lart këtë iniciativë të bashkëpunimit ndërinstitucional, e cila kontribuon në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave tona më të mira”, tha me këtë rast z. Hajdaraj.
Nga ana tjetër, Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë së Shqipërisë, znj. Mirela Bogdani, vlerësoi lart bashkëpunimin me institucionet homologe në Kosovë dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, në funksion të forcimit të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve në të dy vendet.
Në kuadër të vizitës, delegacioni i Shqipërisë zhvilloi takime edhe në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ku u informua për zhvillimet e fundit, sfidat dhe prioritetet e këtyre institucioneve.
Gjatë kësaj vizite, në ambientet e Prokurorit të Shtetit, përfaqësues të KPK-së, përfshirë z. Ardian Hajdaraj, znj. Jehona Grantolli, z. Arian Gashi, z. Bahri Hyseni dhe z. Jetish Maloku, prezantuan para anëtarëve të KLP-së kornizën ligjore dhe nënligjore që rregullon punën e prokurorëve, përfshirë normën orientuese të punës, metodologjinë e matjes së performancës, indikatorët, statistikat, sfidat dhe teknologjinë mbështetëse.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua Sistemit për Menaxhimin Elektronik të Lëndëve (SMIL), ku Udhëheqësi i Departamentit të Teknologjisë Informative në Sekretariatin e KPK-së, z. Nexhat Haziri, prezantoi funksionalitetet kryesore të këtij sistemi dhe përfitimet nga përdorimi i tij.
Po ashtu, Udhëheqësi i Njësisë për Komunikim me Publikun në SKPK, z. Bedri Gashi, prezantoi platformat dhe mjetet e transparencës institucionale dhe rolin e zyrave për marrëdhënie me publikun në rritjen e besimit publik.
Vizita do të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme, me diskutime të fokusuara në punën e Komisionit për Vlerësimin e Peformancës gjatë procesit të vlerësimit të prokurorëve të shtetit.
#SistemiProkurorial #KeshilliProkurorialKosoves #KeshilliProkurorial #KPK #SKPK