Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së ankohet për parregullsi në Belinc të Shtimes, kërkon hetime

15 tetor 2025 | 10:44

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi, ka shprehur shqetësim, siç thotë ai, për parregullsitë të evidentuara në vendvotimin 2207/01 në fshatin Belinc të Komunës së Shtimes.

Gashi ka shkruar në “Facebook” se ekzistojnë indikacione të qarta për shkelje të rëndë të procesit zgjedhor, përfshirë dyshimet për përdorimin e metodës së njohur si “Treni bullgar”, gjetjen e një fletëvotimi fals dhe mungesën e fletëvotimit origjinal.

“Bazuar në të dhënat e paraqitura, ekzistojnë indikacione të qarta për shkelje të rëndë të procesit zgjedhor, përfshirë dyshimet për përdorimin e metodës së njohur si ‘Treni Bullgar’ gjetjen e një fletëvotimi fals dhe mungesën e fletëvotimit origjinal. Këto elemente përbëjnë dyshime serioze për kryerjen e veprave penale që cenojnë integritetin e zgjedhjeve”, ka shkruar Gashi.

I njëjti  ka bërë thirrje për një hetim të menjëhershëm dhe të paanshëm nga organet kompetente, duke theksuar se “nëse këto dyshime vërtetohen, ky rast nuk guxon të mbetet në heshtje dhe pa pasoja ligjore, sepse çdo veprim që cenon vullnetin e qytetarëve përbën rrezik serioz për procesin demokratik në vend”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çdo litër bën diferencën. Me derivatet më cilësore në treg,…