Angazhim i jashtëzakonshëm i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe i Emergjencave dhe Sigurisë në ndihmë të qytetarëve të Prizrenit
Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, e udhëhequr nga drejtori Islam Ukimeri, ka qenë në krye të detyrës duke mobilizuar të gjithë mekanizmin, kapacitetet njerëzore dhe teknike në dispozicion për ndërhyrje të menjëhershme, si pasojë e situatave të krijuara nga reshjet e shumta të shiut.
Sipas njoftimit të Komunës së Prizrenit, ekipet komunale kanë qenë në terren gjatë ditës së djeshme dhe sot për të vlerësuar nga afër gjendjen dhe për të reaguar pa vonesë ndaj çdo rreziku të mundshëm. Situata po monitorohet vazhdimisht, ndërsa ndërhyrjet po realizohen në kohë reale.
Në mobilizim të plotë janë edhe Drejtoria e Emergjencave dhe e Sigurisë, të cilat, në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimeve Publike, po veprojnë me intensitet të lartë deri në stabilizimin e plotë të situatës.
Komuna e Prizrenit u ka bërë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë, duke theksuar se institucionet komunale janë në shërbim të tyre dhe po veprojnë me përgjegjësi të plotë.
“Siguria e qytetarëve mbetet prioritet absolut dhe çdo rrezik po trajtohet me seriozitet maksimal”, ka deklaruar kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.



