Angazhimi i FSK-së në Gaza, hap strategjik për forcimin e marrëdhënieve me SHBA-në
Shërbimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese, po vlerësohet si hap i rëndësishëm në forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe në rritjen e rolit ndërkombëtar të vendit në fushën e sigurisë.
Sipas ekspertëve të sigurisë, angazhimi i FSK-së në misione ndërkombëtare, si ajo në Gaza, përbën dëshmi të pjekurisë institucionale dhe të kapaciteteve profesionale të saj, duke e pozicionuar Kosovën jo vetëm si përfituese, por edhe si kontribuuese të sigurisë globale.
Mirëpo, si shpjegohet fakti që FSK-ja po merr pjesë në ruajtjen e paqes në Gaza, ndërsa në Kosovë ende ka trupa të KFOR-it që e ruajnë paqen këtu?
Drejtori i Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli, ka thënë për KosovaPress, se pjesëmarrja në misione paqeruajtëse është e domosdoshme për Kosovën. Ndërkohë, teksa ende Kosova ruhet nga forcat e KFOR-it, Vrajolli ka thënë se pjesëmarrja e saj nuk është një dobësi e sigurisë së Kosovës, por një anë e fortë e sigurisë së saj.
Sipas tij, Kosova duhet t’ia kthejë këtë të mirë ndërkombëtarëve nëpërmjet pjesëmarrjes në misione paqeruajtëse.
“Është jashtëzakonisht me rëndësi që Kosova mos me qenë vetëm konsumuese e sigurisë, por edhe eksportues sigurie… Duhet ta kemi parasysh që misioni i KFOR-it përveç që është mision ushtarak, është edhe mision politik, duhet të shihet nga kjo perspektivë, kështu që pjesëmarrja e KFOR-it në Kosovë, absolutisht nuk është një dobësi e sigurisë së Kosovës, por është një anë e fortë e sigurisë së Kosovës. Megjithatë, Kosova duhet të ofrojë diçka në kundërvlerë. Mendoj që janë bërë më tepër se 25 vite prej kur misioni i NATO-s është i pranishëm në Kosovë dhe për ta ulur këtë barrë financiare të cilën vendet perëndimore e kanë, atëherë Kosova duhet të jetë sa më parë e gatshme që t’ia kthejë këtë të mirë nëpërmjet pjesëmarrjes nëpër misione paqeruajtëse”, ka thënë Vrajolli.
Edhe drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, e ka cilësuar këtë angazhim si mesazh strategjik në kontekstin e zhvillimeve aktuale gjeopolitike.
Pasi që ende konflikti me Serbinë është i pazgjidhur, sipas tij e bën të domosdoshëm një rol stabilizues të KFOR-it, duke theksuar se edhe FSK-ja është i mbështetur në një program brenda standardeve të Aleancës Veri-Atlantike si forcë mbrojtëse.
“FSK e përfshirë në misionin për Gazën është jo vetëm afirmim i kapaciteteve të saj për të kontribuar, por është edhe mesazh shumë i rëndësishëm strategjik për Republikën e Kosovës në kontekstin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe përplasjeve aktuale gjeopolitike në botë… Bashkëpunim, bashkëveprim dhe specifikë e Kosovës, që ende nuk është anëtare e Aleancës Veri-Atlantike, por është brenda ombrellës së Aleancës Veri-Atlantike. Natyrisht, specifikat që lidhen me faktin që konfliktin me Serbinë ende e kemi të pazgjidhur, e bën të domosdoshëm një rol stabilizues dhe reaktiv të KFOR-it vetëm në situatat e jashtëzakonshme. Prania e forcave të NATO-s në Kosovë ka qenë faktori i rëndësishëm për paqen dhe për zhvillimin e dhe konsolidimin shtetëror të Republikës së Kosovës, por jo në kuptimin e një rivaliteti, aq më tepër kur kemi parasysh që ndërtimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës është i mbështetur në një program brenda standardeve të Aleancës Veri-Atlantike si forcë mbrojtëse”, ka shtuar Fetoshi.
Ndërkaq, koloneli në pension i FSK-së, Afrim Veseli, e ka cilësuar këtë operacion si hap me rëndësi jetike drejt anëtarësimit në NATO.
Edhe Veseli për ruajtjen e kufijve nga KFOR-i e jo nga FSK-ja, ka thënë se forcat tona kalojnë në veri të vendit atëherë kur është nevoja.
Veseli tutje ka thënë se është njëri nga oficerët e FSK-së që ka qenë në veri të vendit me KFOR-in.
“Zbarkimi i ushtarëve tanë dhe i ushtrisë tonë në një operacion të tillë të stabilizimit, ka rëndësi jetike për rrugëtimin e Kosovës që sa dekada drejt anëtarësimit në NATO. Ky operacion dhe zbarkimi i këtyre forcave atje e përafron dhe vjen para portës së pranimit në NATO, Zoti, UÇK-ja dhe amerikanët na kanë sjellë deri këtu edhe tani në atë ëndrrën tonë që të jemi pjesë e saj ata po na mundësojnë.. Në Kosovë është çështje politike që mbase është NATO këtu që nga 99 është rezoluta 1244 që jep mandat, FSK kalon edhe në veri të vendit atëherë kur ka nevojë. Jam një prej atyre oficerëve që ka kaluar shumë herë me vëllezërit e Amerikës në veri të vendit.. 2:58 Ushtarët dhe oficerët e ushtrisë së Kosovës janë të gatshëm për çdo operacion”, ka thënë Veseli.
Ministri i mbrojtjes, Ejup Maqedonci në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se gjatë viteve të fundit, FSK-ja ka ndërtuar kapacitet e saj, që të jetë e aftë për të eksportuar siguri jashtë vendit.
Maqedonci ka vlerësuar se në vitet në vijim do të zhvillohet një dialog serioz me NATO-n rreth çështjes së kompetencave dhe përgjegjësive të institucioneve të sigurisë në Kosovë, duke përfshirë FSK-në.
“Unë nuk po e them që nuk është e nevojshme që të kemi një trup të tillë në Republikën e Kosovës, mirëpo ne gjatë këtyre viteve, krahas konsumimit të sigurisë, kemi ndërtuar kapacitetet tona që të jenë të afta për të eksportuar siguri jashtë vendit dhe unë vlerësoj që në vitet në vijim ne do të kemi një dialog më serioz dhe më të thellë me NATO-n rreth çështjes së kompetencave dhe përgjegjësive të institucioneve të sigurisë në Kosovë, duke përfshirë Forcën e Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Maqedonci.
Kosova dhe Shqipëria janë ndër pesë vendet e para që do dërgojnë trupa për ofrimin e sigurisë në Gaza në kuadër të Bordit të Paqes.
Pesë vendet e para që kanë angazhuar trupa për të shërbyer në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese janë Indonezia, Maroku, Kazakistani, Kosova dhe Shqipëria. Ndërkohë, Egjipti dhe Jordania kanë marrë përsipër të trajnojnë policinë.



