Anglia dhe Danimarka në kërkim të finales

07 korrik 2021 | 11:06

Sonte (e mërkurë) mësohet edhe finalisti i dytë në Kampionatin Evropian “Euro 2020”. Nga ora 21:00 në “Wembley” takohen Anglia dhe befasia e këtij kompeticioni, Danimarka.

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, është i mendimit se kombëtarja që drejtohet prej tij ka një mundësi speciale për ta bërë kombin e lumtur nëse do të arrijë që të triumfojë ndaj Danimarkës.

“Ndeshjet e Anglisë bashkojnë familjet dhe komunitetet. Mundësia që ke kur luan për Anglinë për lumturi dhe për të krijuar mbrëmje të shkëlqyera për tifozët tanë, për kombin tonë, është shumë e veçantë. Këto janë ndeshjet që mbahen mend për gjithë jetën, dhe ti ndien vlerësimin që njerëzit kanë për lojtarët dhe për futbollistët. Kjo është diçka për të cilën duhet të ndihen vërtet krenarë. Nëse je trajner është paksa si të jesh një prind, lë pas momentet për veten pasi mendon se çfarë mund t’u transmetosh të tjerëve. Ne jemi përgatitur mirë për gjysmëfinalet sesa në të kaluarën. Edhe pse kjo nuk përcakton fitoren apo humbjen në një ndeshje futbolli, ka shumë faktorë për të cilët ne jemi të ndërgjegjshëm dhe me të cilët jemi përballur për t’u përgatitur më mirë”, ka thënë Southgate.

Për këtë ndeshje foli edhe trajneri Kasper Hjulmand, i cili bëri me dije se danezët nuk kanë frikë nga Anglia, ani pse kualifikimi për në finale është një mision shumë i vështirë. “Ne nuk kemi frikë nga Anglia, por mendoj se edhe ata nuk kanë frikë nga ne. Nuk mendoj se Anglia ka ndonjë pikë të dobët, por unë jam i bindur që ndaj çdo rivali në këtë Evropian mund të gjesh hapësira për ta pasuar topin, për të sulmuar dhe për të shënuar. Megjithatë, Anglia është një skuadër e kompletuar dhe mendoj se ndaj saj misioni ynë për t’u kualifikuar do të jetë shumë i vështirë”, ka thënë Hjulmand.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një gazetar i shquar i krimit në Holandë u plagos…