
Anija e marinës meksikane përplaset me Urën e Bruklinit
Një anije me vela e marinës meksikane, e stolisur me drita dhe një flamur gjigant, u përplas me urën ikonike të Bruklinit të shtunën në mbrëmje, duke vrarë dy persona dhe plagosur 17 të tjerë, tha kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams.
Video të publikuara online shfaqin anijen Cuauhtemoc teksa i afrohej urës së famshme mbi lumin East River, pranë anës së Manhatanit të urës që lidh këtë rreth me Bruklinin.
Direkët e saj 45 metrrash ishin shumë të lartë për të kaluar nën harkun e urës në atë pikë dhe u rrëzuan kur anija, e emëruar sipas perandorit të fundit aztek, kaloi poshtë saj.
Marina meksikane njoftoi në rrjetet sociale të shtunën në mbrëmje se 22 persona ishin plagosur në bord, nga të cilët 19 po merrnin kujdes mjekësor në spitale lokale, dhe tre prej tyre ishin në gjendje të rëndë.
Nuk u nevojitën operacione shpëtimi pasi askush nuk ra në ujë, shtoi ajo.
Të dielën herët në mëngjes, Adams tha në X se dy nga 277 personat në bord kishin ndërruar jetë dhe dy të tjerë ndodheshin në gjendje kritike.
Kadetë të marinës, të veshur me uniforma të bardha, mund të shiheshin të varur nga shtyllat anësore të anijes pas përplasjes.
“Asnjë nuk ra në ujë; të gjithë u plagosën brenda anijes”, tha një zyrtar policie.
Zyrtari tha se një problem mekanik ka të ngjarë të ketë shkaktuar përplasjen, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Pranë njërës prej bazave të urës së varur, afër zonës turistike South Street Seaport në Nju Jork, video online shfaqnin kalimtarë që vraponin të tmerruar ndërsa anija e madhe u përplas me urën dhe u drejtua drejt molit.
Ura, një atraksion i njohur turistik dhe një rrugë kryesore lidhëse midis Manhatanit dhe Bruklinit, u përfundua në vitin 1883. Ajo ka qenë dikur ura më e madhe e llojit të saj në botë.
Zyrtarët e transportit të qytetit të Nju Jorkut thanë se ura nuk pësoi dëmtime të mëdha. Qarkullimi u rihap në të dy drejtimet pas një inspektimi paraprak.
Më herët, Ministria e Jashtme e Meksikës njoftoi në rrjetet sociale se ambasadori i Meksikës në SHBA dhe zyrtarë të tjerë po ndihmonin kadetët e prekur dhe kishin qenë në kontakt me autoritetet lokale.
Anija stërvitore Cuauhtémoc ishte ndërtuar në kantierin detar në Bilbao, Spanjë, në vitin 1981, sipas Muzeut të South Street Seaport, i cili në faqen e tij të internetit njoftonte se ishte bashkëorganizator i vizitës së anijes në Nju Jork, që ishte planifikuar të përfundonte të shtunën në mbrëmje. Publiku ishte ftuar të hipte në bord gjatë kësaj vizite.
Sipas një zyrtari të policisë së Nju Jorkut, anija po nisej nga Nju Jorku dhe po drejtohej drejt Islandës.