‘Anim i pacipë politik’, Mustafa kritikon Osmanin për datën e zgjedhjeve: Votuesit më 28 dhjetor do ta ndëshkojnë ose shpërblejnë vetveten

21 nëntor 2025 | 13:51

Në Kosovë më 28 dhjetor do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të cilat shënojnë procesin e katërt zgjedhor brenda këtij viti. Para tyre, vendi ka zhvilluar zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt, si dhe zgjedhjet lokale më 12 tetor e raundin e dytë më 9 nëntor.

Lidhur me situatën aktuale politike dhe frymën e zgjedhjeve, për “IndeksOnline” ka folur ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa. Ai ka vlerësuar se votuesit do të jenë ata që do t’i përcaktojnë qartë pasojat politike të zgjedhjeve.

“Mendoj se elektorati do ta ndëshkojë vetveten apo do ta shpërblej vetveten, varësisht nga zgjedhja që e bënë. Pesha e dëmit është shumë më e rëndë dhe shumë më e gjerë kundrejt segmentimi të tij në një apo dy parti. Prandaj partitë do duhej të lirohen nga frika e ndëshkimit nëse e mbrojnë të vërtetën dhe interesin e vendit, të mos jetojnë me ankthin e sondazheve dhe pëlqimeve”, ka deklaruar ai.

Ai ka theksuar se partitë politike nuk duhet të frikësohen nga ndëshkimi elektoral, nëse angazhohen për të mbrojtur të vërtetën dhe interesin e vendit, duke shtuar se nuk duhet të varen nga “ankthi i sondazheve dhe pëlqimeve”.

Mustafa beson se zgjedhjet e 28 dhjetorit mund të sjellin ndryshime, duke theksuar se qytetarët mbeten të orientuar drejt së mirës së vendit dhe familjeve të tyre. Ai ka ngritur edhe çështjen e përgjegjësisë politike për situatat bllokuese.

“Shtrohet pyetja se kush ka interes të vazhdohet me bllokadat ndaj shtetit tonë, me izolim politik dhe ekonomik ndërkombëtar dhe me veprime që e dëmtojnë jetën sociale vetëm për të fajësuar të tjerët me qëllim për të mbajtur pushtet”, është shprehur ai, duke i quajtur të pajustifikueshme “marifetllëqet” politike.

Sa i përket datës së caktuar të zgjedhjeve, Mustafa ka thënë se nuk sheh dëm nga zhvendosja prej 21 në 28 dhjetor, por ka kritikuar atë që e ka quajtur anim politik të presidencës Vjosa Osmani.

“Shoh vetëm një shpërfaqje të pacipë të animit të kreut të shtetit kah koalicioni në pushtet dhe një papërgjegjësi ndaj rolit bazik të sigurimit të unitetit të popullit. Për animet e tilla duhet ta qajnë kokën ata që e kanë zgjedhë, qoftë duke e votuar, qoftë duke ia bërë kuorumin”, ka thënë Mustafa.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit pritet të jenë vendimtare për orientimin e ardhshëm politik të vendit, duke pasur parasysh periudhën intensive zgjedhore dhe tensionet mes institucioneve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktorja angleze Kelly Brook, e shpallur nga shkencëtarët e Teksasit…