Ankthi si motiv kryesor i një romani

12 gusht 2025 | 11:09

Dibran Demaku, Ethet e një vere

Dibran Demaku është një autor tashmë i njohur përmes poezisë, tregimit dhe reportazhit. Kësaj radhe ai vjen te lexuesi me një prurje mjaft interesante në prozë, me romanin e shkurtër, Ethet e një vere.

Edhe pse prej vitesh jeton dhe punon në mërgim, krijimtaria e tij vazhdon të lidhet fort me dheun amë, me njerëzit dhe fatet e saj. Edhe vepra e tij e fundit nuk mund të bënte përjashtim.

Ngjarjet vendosen diku në një fshat i cilit endet mes zakoneve të rrepta, lidhjeve mes njerëzve, mbështetjes që i japin banorët njëri-tjetrit në të mirë a në të keq, por edhe patriarkalizmit, thashethemeve. Ky fshat pa emër dhe njerëzit që jetojnë në të mund të jetë kudo në viset shqiptare.

Në pamje të parë duket sikur autori ndalet vetëm në dilemat, frikërat, ndjesitë e një gruaje që rrethanat i janë kthyer në mënyrë jetese; duket sikur ai ndalet te pozi­cioni i gruas në një shoqëri maskiliste, ku të jesh e bukur kthehet në fatkeqësi, por romani është shumë më tepër se kaq. Të gjitha këto janë pasoja, pasi shkaqet janë të tjera. Jo më kot në roman përmenden pak e aspak të rinjtë, djemtë e fshatit. Autori lë të kuptosh se ata nuk janë aty. Kushtet i kanë detyruar shumë prej tyre të marrin rrugët e botës, të ikin në kurbet. Andej, ata lënë vitet e tyre më të bukura, bjerrin shumë prej ëndrrave të tyre, tjetërsohen dhe harrojnë të kthehen. Mërgimi si pasojë e kushteve të vështira ekonomike është shkaktari kryesor i asaj që vjen më pas në vepër: lëkundjes së themeleve të familjes.

Autori ka gjetur një mënyrë mjaft interesante për të na rrëfyer ngjarjet. Përveç prologut dhe epilogut që janë në vetën e tretë, gjithçka tjetër na vjen në vetën e parë përmes dëshmisë së personazhit kryesor, duke e bërë më të besueshme dhe më të prekshme brengën e gruas. Ajo është e sinqertë në të gjitha përjetimet e saj, në luftën me veten, në dëshirat e urrejtjen, në frikën dhe kurajën e vet. Në dukje të parë rrëfimi i saj ngjan si një letër drejtuar të shoqit në të cilën ajo i tregon të parrë­fyerat. Gruaja shpesh vë në dyshim faktin se ai, bashkë­shorti i saj, do t’i lexojë ndonjëherë ato që po shkruan, madje ajo është e bindur se ai nuk do të dojë t’i dijë ato ngjarje. Edhe pse duket sikur ajo po ia rrëfen gjithçka vetes (ndoshta të shoqit) për të shpëtuar nga pesha e të pathënës, në fakt, ajo po e akuzon të shoqin, fqinjin, shoqërinë. Shumë shpejt pas dasmës i shoqi niset në kurbet duke e lënë të vetme me dy pleqtë e tij. Për gruan e re jeta merr kah krejt tjetër nga ai që ka menduar. Jeton e mbyllur, merret vetëm me punët e shtëpisë dhe nuk lëviz askund vetëm, madje edhe për të fjetur fle në dhomë me pleqtë që e marrin këtë vendim “për ta ruajtur nga syri i keq”. E bindur, pasi kështu është rritur dhe ka vepruar edhe në shtëpinë e të atit, ajo pranon pa fjalë çdo vendim që merret për të. Asaj i duket normale kjo jetë e mbyllur, madje ndihet keq kur, e kushtëzuar nga rrethanat, i kërkohet të hyjë në dhomën e burrave. Por jeta do ta përballë me të gjitha dhe do të kuptojë se është vetëm. Asnjëherë, në asnjë rrethanë, askush nuk mendoi për të: nuk mendoi bashkëshorti i saj as kur e la nuse të re me dy pleq, as kur u kthye i detyruar së andejmi; nuk deshi të dinte e vjehrra që vendoste për të edhe kur i shoqi ishte larg, por edhe kur u kthye; as fqinji i parë, pavarësisht prej pohimeve të vazhdueshme se çmendej pas saj, nuk do t’ia dijë si ndihet ajo, por mjaftohet t’i kënaqë epshet e veta.

Gruaja hesht se i trembet skandalit, nderit të përfolur, gojëve të botës që do ta drejtonin gishtin vetëm kundër saj. Kështu, jeta e saj ndërtohet mbi gënjeshtrën që e shtyp, e mbyt.

Këtu autori na vë para një të vërtete të hidhur. Një shoqëri e detyruar të ngrihet mbi kompromise të tilla e të gënjejë veten, nuk ka si të bëjë përpara.

Të gjithë shtiren sikur nuk e dinë të vërtetën edhe pse e kanë para syve përditë dhe kjo për hir të një morali të rremë. Çfarë e çon njeriun drejt kompromiseve të tilla? Nderi? A ka vlerë një nder i rrejshëm? Për hir të tij ne shohim tjetërsimin e personazheve tanë. Në një çast, plaka reagon pasi e ngacmojnë gratë që kanë ardhur për vizitë, por ky reagim ngjan më shumë me një heqje të barrës nga vetja sesa kritikë ndaj nuses. Asaj dhe të birit u pëlqen të besojnë atë që u serviret. “Çfarë ndodh pas syve të mi nuk më duhet,” – duket sikur thonë ata. Për ta ruajtur nderin e tij, burri që përflitet për lidhjet e tij atje në dheun e huaj, shtiret sikur nuk e kupton çfarë ka ndodhur në mungesë të tij, por ftohja me gruan e padit.

E vetmja që përplaset në dilemën mes detyrës dhe ndjenjës është gruaja. Ajo mban mbi supet e veta peshën e të gjithëve.

Autori ka zgjedhur ta lërë pa emër, atë dhe të gjithë të tjerët. Të gjithë personazhet cilësohen me emra të përgjithshëm duke marrë kështu një vlerë përgjithësuese si fenomeni që trajtohet në roman.

I shkruar me një gjuhë të pasur, të gjallë dhe mjaft afër rrëfenjave popullore, romani të rrëmben në situatat e gjendjet e trazuara ku vërtitet heroina kryesore, të cilën, pavarësisht se çfarë ndodh, autori e trajton me mjaft dashuri.

Sigurisht, lirizmi i vargut të Demakut do të ndikojë edhe në prozën e tij duke e bërë të ngrohtë dhe të dashur për lexuesin.

 

Merita Gruda, mësuese e letërsisë, autore dhe studiuese e letërsisë

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulejman Dërmaku Dibran Demaku, Ethet e një vere, roman Me…