
Antigona Gashi shpreh si problem mungesën e hapësirave për aktivitete kulturore, artistike dhe edukative në shkolla
Kandidatja për asambliste e PDK-së në Pejë, Antigona Gashi, ka shtruar si problem mungesën e hapësirave të përshtatshme për aktivitete kulturore, artistike dhe edukative në shkolla.
“Në Kosovë, shumë shkolla përballen me mungesën e hapësirave të përshtatshme për aktivitete kulturore, artistike dhe edukative. Kështu është edhe rasti i shkollës fillore “Ramiz Sadiku” në Pejë, e cila sonte organizoi aktivitetin për Ditën e Shkollës, por jo në ambientet e saj – sepse nuk ka sallë për zhvillimin e një aktiviteti të tillë. Siç shihet edhe në fotografi, në mungesë të hapësirës adekuate, ambienti shihet i ngusht, një pjesë e nxënësve dhe të ftuarve u detyruan të qëndrojnë në këmbë gjatë gjithë ngjarjes. Institucionet qendrore dhe ato lokale duhet urgjentisht të adresojnë këtë problem, i cili është një nevojë elementare dhe e domosdoshme për nxënësit”, ka shkruar Gashi në “Facebook”.
Ajo ka theksuar se arsimi është shtylla kryesore e një shteti, prandaj investimi në infrastrukturën shkollore nuk duhet të jetë luks, por prioritet.