AP për ndeshjen Shqipëri–Serbi: Përballje që s’është veç për tri pikë

06 qershor 2025 | 17:03

Agjencia amerikane e lajmeve, Associated Press, i ka kushtuar një artikull të gjatë ndeshjes Shqipëri – Serbi, e cila do të luhet nesër, e shtunë, në Tiranë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

AP shkruan se përballja në Tiranë nuk ka të bëjë vetëm me tri pikë, pasi jehona e përballjeve të mëparshme është e pamundur të injorohet, dhe ballafaqim i cili është thellësisht i rrënjosur në identitet kombëtare, të cilat “organizatorët po përpiqen me çdo kusht t’i lënë mënjanë”.

Përballja Shqipëri – Serbi, sipas AP-së, është një nga rivalitetet më të ngarkuara politikisht dhe emocionalisht në futbollin evropian, e mbështetur në tensione të thella historike dhe etnike, veçanërisht ato që lidhen me luftën e Kosovës dhe historinë më të gjerë të Ballkanit.

Associated Press e kujtoi edhe ndeshjen e tetorit të vitit 2014 në Beograd, e cila u ndërpre kur droni me flamurin “Autochthonous”, fluturoi mbi qiellin e Beogradit, i cili më pas shkaktoi përleshje të madhe në fushë.

Shqipërisë iu dha fitorja 3-0 pas një vendimi që theksonte se loja nuk mund të vazhdonte për shkak të atmosferës armiqësore në stadium. Kjo fitore siguroi kualifikimin e Shqipërisë në Kampionatin Evropian 2016 — hera e parë në histori për kombëtaren shqiptare”.

“Edhe përpara ndeshjes, ajo përballje ishte cilësuar me rrezik të lartë. Kosova, e cila ka një popullatë me shumicë shqiptare, shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 — një akt që Serbia nuk e njeh. Futbolli, shpesh pasqyrë e nacionalizmit dhe politikës, pasqyroi këtë ndarje të thellë”.

“Serbia dhe Shqipëria vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje për statusin e Kosovës tashmë të pavarur, dhe rivaliteti midis tifozëve mbetet i zjarrtë”.

“Pothuajse gjysma e skuadrës shqiptare përbëhet nga lojtarë me origjinë shqiptare nga Kosova, Maqedonia e Veriut apo Serbia jugore”.

“Për lojtarët, kjo është një ndeshje e mbuluar nga hija e historisë, politikës dhe krenarisë kombëtare — një kujtesë se nganjëherë sporti nuk është thjesht një lojë”, shkroi AP.

Në lidhje me ndeshjen ka folur edhe mbrojtësi Elseid Hysaj, i cili ishte pjesë e ndeshjes së tetorit të vitit 2014, ku tha se kaosi “nuk duhet të përsëritet”.

“Duhet të jemi të qetë dhe të vetëdijshëm se jemi futbollistë. Jemi këtu për të kënaqur tifozët dhe për të dhënë më të mirën për fitoren”, tha Hysaj për AP.

Për përballjen, pashmangshëm ka folur edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili edhe një herë u bëri thirrje shqiptarëve që ndeshjen ndaj Serbisë ta shohin si një ngjarje sportive, ku “ekipi merr mbështetje dhe energji pozitive nga tifozët për ta arritur qëllimin”.

“Lojtarët nuk bartin barrën e historisë apo të tensioneve politike. Ata konkurrojnë në fushë për të fituar, për të dhënë më të mirën për fanellën që përfaqësojnë dhe, mbi të gjitha, për të ndërtuar ura respekti përmes lojës”, tha Duka për AP.

Associated Press përmendi edhe deklaratën e siç e quajtën ata, “presidentit populist” të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili sipas tyre,  ka shtuar tensionin duke i thënë trajnerit të Serbisë, Dragan Stojkoviç, në një tubim të madh të mbështetësve të tij, se Serbia “duhet të fitojë.”

“Shkoni atje dhe mundini,” i tha Vuçiqi, Stojkoviçit, i cili ishte në turmë, shkruan AP.

Ndërsa, sipas AP-së, Stojkoviçi dhe disa lojtarë kanë tentuar të zbusin tensionet, duke thënë se kjo është vetëm një ndeshje tjetër.

“Të gjithë thonë se ndeshja e parë është shumë e rëndësishme. Jemi shumë të përqendruar për ta nisur ashtu siç duam dhe do të përgatitemi të luajmë sa më mirë që mundemi, me gjithë respektin për Shqipërinë”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një Kuran i rrallë i është dhuruar xhamisë që gjendet…