Apeli i Komunës së Drenasit: Rrugët janë vështirë të qarkullueshme, shmangni daljet e panevojshme
Komuna e Drenasit ka njoftuar se pas reshjeve të borës gjatë natës së mbrëmshme, gjendja e rrugëve në territorin e komunës paraqitet e vështirë për qarkullim.
“Kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve janë në terren që nga orët e hershme të mëngjesit dhe po punojnë intensivisht për pastrimin e borës dhe përmirësimin e kushteve të qarkullimit në rrugët kryesore dhe dytësore. Megjithatë, për shkak të reshjeve dhe kushteve atmosferike, në disa segmente rrugore qarkullimi vazhdon të jetë i vështirësuar”.
“Kërkohet nga të gjithë vozitësit që të kenë pajisje dimërore obligative, të kenë kujdes të shtuar gjatë vozitjes, si dhe të shmangin daljet e panevojshme, deri në stabilizimin e plotë të gjendjes në rrugë. Komuna e Drenasit mbetet në koordinim të vazhdueshëm me operatorët përkatës dhe do t’ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të ri”, ka njoftuar Komuna e Drenasit.



