
Apeli shpall vendimin për Pjetër Shalën më 14 korrik – Ai është dënuar me 18 vjet burg
Gjykata e Apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë ka njoftuar se më 14 korrik 2025, në orën 11:30, do ta shpall aktgjykimin në çështjen ndaj Pjetër Shalës, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ky vendim pritet me interes të lartë publik, pasi më 16 korrik 2024, Pjetër Shala ishte shpallur fajtor për krime lufte dhe ishte dënuar me 18 vjet burgim. Ai ishte “gjetur fajtor” për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje, në një rast që përfshinte vdekjen e një të ndaluari në një qendër ndalimi në Kukës, gjatë vitit 1999.
Shala ishte shpallur i pafajshëm për akuzën e “trajtimit mizor”, pasi gjykata e kishte përfshirë atë në kuadrin e veprës penale të torturës. Dënimi është shqiptuar në një masë të vetme prej 18 vjetësh burgim, që përfshin të gjitha akuzat për të cilat u shpall fajtor.
Vendimi i Apelit më 14 korrik do të përcaktojë nëse ky dënim do të konfirmohet, reduktohet apo ndryshohet, pas ankesës së paraqitur nga mbrojtja.
Ky është një nga rastet më të rëndësishme që po trajton drejtësia ndërkombëtare në lidhje me luftën në Kosovë, dhe vendimi i Apelit pritet të ketë jehonë të madhe në publik dhe medie.