
Apostolova: BE-ja mbetet e përkushtuar për ta ndihmuar rrugën evropiane të Kosovës
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar të hënën shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, përfaqësuesen e posaçme të BE-së, Nataliya Apostolova, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend, procesin e ndërtimit të institucioneve të reja, për agjendën evropiane të Kosovës dhe obligimet e Kosovës në këtë proces.
Shefja e misionit të BE-së uroi kryeparlamentarin Konjufca për përgjegjësinë e re institucionale.
Ajo ka theksuar se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për të ndihmuar rrugën evropiane të Kosovës, në të gjitha proceset dhe hapat e saj.
Kryeparlamentari Konjufca, nga ana e tij ka theksuar përkushtimin e Kuvendit për të vazhduar dhe forcuar më tej bashkëpunimin me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe se Kosova do të vazhdojë angazhimet e saj për përmbushjen e të gjitha kritereve që ajo ka para vetes në procesin eurointegrues.
/Epoka e re/