
Arabia Saudite mbështet rindërtimin e Sirisë
Arabia Saudite ka hedhur një hap të madh drejt Sirisë së pasluftës, duke nënshkruar 47 marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi me vlerë totale prej 6.4 miliardë dollarësh me qeverinë e re siriane, që mori pushtetin pas largimit të Bashar al-Asadit në dhjetor.
Kjo u bë e ditur të mërkurën, gjatë Forumit të Investimeve Siri-Arabi Saudite, i mbajtur në pallatin presidencial në Damask, në prani të presidentit të përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa, dhe zyrtarëve të lartë nga të dyja vendet.
Ministri i Investimeve i Arabisë Saudite, Khalid Al-Falih, theksoi se pjesa më e madhe e fondeve – 2.9 miliardë dollarë – do të shkojnë për ndërtimin e infrastrukturës dhe ngritjen e tri fabrikave të mëdha të çimentos.
Po ashtu, 1.07 miliard dollarë janë rezervuar për sektorin e telekomunikacionit, me fokus në përmirësimin e sigurisë kibernetike dhe rrjetit të brendshëm.
Ministri sirian i Ekonomisë, Mohammed al-Shaar, e quajti këtë zhvillim “një hap historik që shënon fillimin e një kapitulli të ri në marrëdhëniet vëllazërore mes dy vendeve”.
Marrëveshjet përfshijnë edhe sektorë si bujqësia, financat dhe zhvillimet teknologjike.
Ky hap i madh vjen pasi OKB përshëndeti vendimin e SHBA-së dhe shteteve perëndimore për të hequr sanksionet ndaj Sirisë, duke e cilësuar si “një dritare të re për rimëkëmbje të qëndrueshme”.