Arat: Lojërat Mesdhetare, moment historik për sportin e Kosovës
Personaliteti i njohur i sportit ndërkombëtar, Hasan Arat, ka vlerësuar lart potencialin e Kosovës në sport dhe rëndësinë strategjike që kanë Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 për vendin. Pas dekorimit nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Arat ka theksuar se ky organizim përfaqëson jo vetëm një ngjarje madhore sportive, por edhe një moment të rëndësishëm për diplomacinë sportive dhe afirmimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës
Duke folur për vlerën simbolike dhe praktike të Lojërave Mesdhetare, Arat ka nënvizuar se Kosova tashmë ka dëshmuar se është një vend me potencial të jashtëzakonshëm sportiv. Sipas tij, organizimi i këtij eventi do të lërë një trashëgimi afatgjatë, që do të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e sportit dhe do të shërbejë si frymëzim për brezat e rinj, duke e forcuar më tej rolin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Në vijim, Arat është ndalur te dashuria e popullit të Kosovës për sportin, duke e cilësuar atë si një element kyç që lidh shoqëritë dhe shtetet mes vete. Ai ka theksuar se sporti shërben si një gjuhë universale e dialogut dhe solidaritetit, e cila historikisht ka ndihmuar edhe në njohjen dhe afirmimin e Kosovës në arenën botërore. Sipas tij, kjo energji dhe pasion i qytetarëve për sportin përbën një bazë të fortë për suksesin e Lojërave Mesdhetare dhe për ndikimin pozitiv që ato do të kenë te të rinjtë.
“Po, mundet, mundet. Sepse ky është tashmë një organizim shumë i madh. Lojërat Mesdhetare janë një organizim shumë i madh, një nga organizimet më të mëdha. Prandaj duhet të jeni shumë, shumë të kujdesshëm për organizimin e lojërave të mira, sepse ajo trashëgimi do të vazhdojë përgjithmonë”, tha në fund Arat.
Arat është biznismen dhe adminsitrator sportiv nga Turqia, por me prejardhje shqiptare. Në karrierën e tij sportive ka qenë basketbollist, ndërsa si udhëheqës është anëtar i Komitetit Olimpik të Evropës, ish-nënpresident i Komitetit Olimpik të Turqisë, kryetar i komisionit koordinues për Lojërat Evropiane Krakoë 2023, udhëheqës i kandidaturës së Stambollit për organizimin e LO 2020, ish-anëtar i komisioneve të ndryshme në IOC e ANOC, anëtar i Komitetit Ekzekutiv në Federatën Botërore të Atletikës, etj. Së fundi (2023-2024), për më shumë se një vit ishte president i klubit të madh turk të futbollit, Beshiktash.



