Arbeloa: Vinicius ka nevojë për stadiumin e tij, Reali ka nevojë për të gjithë
Alvaro Arbeloa u ka bërë një thirrje të fortë tifozëve të Real Madridit përpara ndeshjes së rëndësishme në Champions League, duke kërkuar mbështetje të plotë për skuadrën dhe në veçanti për Vinícius Júnior.
Ish-mbrojtësi i “Los Blancos”, sot trajner i ekipit të parë, foli në konferencë për shtyp duke theksuar se momentet e vështira kapërcehen vetëm me unitet mes skuadrës dhe tifozëve.
“Vinicius ka nevojë për stadiumin e tij. Ai ka shkruar faqe të rëndësishme në historinë e fundit të Real Madridit dhe i ka fituar dy Champions League me këtë fanellë”, u shpreh Arbeloa, duke mbrojtur hapur brazilianin pas kritikave dhe vërshëllimave të fundit në “Santiago Bernabéu”.
Arbeloa shtoi se Reali është gjithmonë më i fortë kur publiku është në anën e lojtarëve:
“Bernabeu duhet të jetë një forcë shtesë. Kur stadiumi dhe skuadra ecin në të njëjtin drejtim, Real Madridi bëhet pothuajse i pamposhtur”.
Ai theksoi gjithashtu se skuadra e ka një organikë cilësore dhe më të fortë nga sa mendohet, duke nënvizuar se përgjegjësia për rezultatet është kolektive dhe jo individuale.
Deklaratat e Arbeloas vijnë në një moment delikat për Real Madridin, mes presionit në La Liga dhe pritshmërive të larta në Champions League, ku mbështetja e tifozëve pritet të luajë një rol vendimtar.



